Në pritje të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Apelit, që konfirmoi dënimin me 1 vit burg për kallëzim të rremë, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ndodhet në seli. Bashkë më te janë dhe dy nënkryetarët Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj, por edhe deputetë të tjerë të PD.
Mësohet se deputetët e opozitës janë duke përgatitur kallëzim kundër Fatmir Xhafajt, siç edhe Salianji e paralajmëroi ditën e enjte, pasi doli nga Gjykata e Apelit.
Katër vjet pasi u dënua me 1 vit burg nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “kallëzimit të rremë” në dosjen “Babalja”, deputetit demokrat, Ervin Salianji, do duhet ta vuajë këtë dënim.
Të enjten, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm la në fuqi këtë vendimmarrje, duke i dhënë formë të prerë dhe bërë të ekzekutueshëm.
Para deputetit Salianji dhe deputetëve që e shoqëronin, treshja gjykuese e Apelit lexoi vetëm dispozitivin e vendimit. Fraza “lënien në fuqi të vendimi të Shkallës së Parë” ngjalli sa habi dhe reagime nga të pranishmit. Vetë Salianji e konsideroi vendimin si politik e njëkohësisht dekoratë në karrierën e tij.
Vendimi i Apelit u parapri nga një riçelje e pjesshme e shqyrtimit gjyqësor. Gjatë saj, Apeli administroi si provë një vendim të Prokurorisë për Krimet e Rënda për pushimin e çështjes penale lidhur me akuzën e trafikut të drogës, të paraqitur nga avokatët e Geron Xhafajt. Në seancën e kaluar, avokatët e Salianjit pretenduan se ky vendim ishte bërë pjesë në dosjen e gjykatës së parë në kundërshtim me ligjin.
Vendimin që i heq jo vetëm lirinë, por edhe mandatin e deputetit, Salianji tha se do të bënte me qejf dhe se nuk do ta ndalonte së bëri opozitë as në qeli.