Politika Salianji: PS votoi në mënyrë tinëzare buxhetin, po godet shtresën e mesme

Salianji: PS votoi në mënyrë tinëzare buxhetin, po godet shtresën e mesme

Deputeti demokrat, Ervin Salianji, në një prononcim për mediat pas seancës plenare tha se kryeministri Rama i ka vendosur flakën parlamentit. Sipas tij, PS e votoi buxhetin në mënyrë tinëzare dhe me vrap. Ky buxhet sipas Salianjit godet shtresën e mesme.

“Edi Rama në mënyrë të përsëritur i ka vendosur flakën, Parlamentit të Shqipërisë. Po funksionojnë në kushtet e një junte, ku forca fizike e gardistëve, e drejtuesve të Policisë, e krimit në zgjedhje bëjnë të mundur mbajtjen në këmbë të kësaj ngrehine që duket qartësisht se nuk po bashkëjeton në mënyrë demokratike, sipas Kushtetutës dhe ligjit. Në mënyrë tinëzare dhe me vrap, PS votoi buxhetin, i cili për herë të parë godet shtresën e mesme, godet më të rëndësishme për qytetarët në një demokraci, taksim 21% të profesioneve të lira”, tha Salianji.

Ai u shpreh se demokratët nuk do të bëhen “palaço” të kryeministrit. Deputeti theksoi se opozita kërkon vetëm ngritjen e komisioneve hetimore.

“Kushdo që ne të bëhemi palaçot e Edi Ramës, nuk bëhemi dot. Kushdo që merr përsiëpr të bëhet palaço për shkak të ndonjë arsye tjetër që mund të jenë financiare apo përfitimi të drejtpërdrejtë është i denjë dhe në të drejtën e vet për ta bërë. Nuk pyet për Kushtetutë.

Nuk po lemë që vendi të shkojë në një regjim të plotë pasi jemi instaluar 80%. Vetëm ky institucion ka mbetur i pakapur. Është kapur opozita në të kaluarën, janë kapur që të gjitha institucionet kushtetuese të këtij vendi. Janë kapur që të gjitha institucionet ka mbetur vetëm një njeri. Ne do bëjmë gjithçka që të marrim rolin tonë që na jep Kushtetuta. Ne kërkojmë komisione hetimore. A kanë të drejtë qytetarët shqiptarë të kërkojnë komision hetimor për të dhënat personale dhe për sistemin TIMS? A kanë të drejtë qytetarët shqiptarë të kontrollojnë paratë e tyre miliarda, jo miliona euro që kalojnë në shëndetësi ndërkohë që edhe me këtë buxhet apo dhe me buxhetet e kaluara”, u shpreh ai.

Salianji tha ndër të tjera se protesta është e domosdoshme. Ai theksoi se beteja është për të drejtën dhe nëse vazhdohet në këtë rrugë “asgjë nuk përjashtohet” në lidhje me aksionin e opozitës.