Kryesore Salianji zbulon hapat që do të ndjekë pas dënimit: Fushatën do ta...

Salianji zbulon hapat që do të ndjekë pas dënimit: Fushatën do ta bëj nga burgu

Përgjimet e dosjes “Babale”, Ervin Salianji i konsideron një shërbim i madh nga ana e tij për interesin publik.

Në komunikimin për mediat pas vendimit të Gjykatës së Apelit, që e dërgon pas hekurave për njw vit, Salianji tha se nuk do të ndalet së denoncuari skandalet e mazhorancës dhe betejat politike me ta.

“Unë kam bërë një shërbim të madh për interesin publik, dhe do ta bëjë në çdo formë. Nuk kam bërë betejë për veten, as për interesa personale, as për të vjedhur siç bëjnë këta, apo betejë për trafik droge, por kam bërë betejë kundër maskarenjve në këtë vend. Në të ardhmen do të keni shumë procese të tjera, procese “Mamale” tani dhe jo “Babale”. Jam i nderuar dhe kam medalje që shndrit në gjithë karrierën politike”, tha Salianji.

I pyetur nga gazetarët se cilat do të jenë hapat që ai do të ndjekë në vijim, Salianji la të kuptohet se beteja ligjore nuk do të ndalet me Apelin, por theksoi se ai nuk ka besim te hallkat e gjyqësorit në Shqipëri.

“Pa diskutim që do të ndjekim të gjitha procedurat e tjera gjyqësore. Kjo është vendimmarrje që në gjykatat shqiptare nuk ka asnjë gjasë të ndryshohet. Fatmir Xhafaj është njeriu që përdoret nga Edi Rama kundër ndërkombëtarëve dhe do të kapë SPAK-un apo ishuj të pa kapur ende prej tij në gjyqësor. Procedura nuk varet nga unë, unë do të ujem në dispozicion. Kam pas për të zhvilluar një takim në Bruksel në datë 30 me 2, por do të jem këtu para jush dhe do ti anuloj të gjitha”, sqaroi deputeti i PD.

Sakaq, sa i përket procedurave për dërgimin e tij në qeli, Salianji u shpreh i gatshëm për t’u vetëdorëzuar në polici dhe kryerjen e plotë të dënimit.

Ligjvënësi opozitar deklaroi se betejën e tij për zgjedhjet e 2025 do ta vijojë edhe nga qelia, duke mos ndalur publikimin e fakteve dhe provave për skandalet e qeverisë Rama.

“Unë do të jem në dispozicion dhe do vete ta bëjë me qejf ku të duan këta. Do të jem në dispozicion të bandave dhe nuk kanë ç’më bëjnë asnjë gjë. Kjo bëhet përpara zgjedhjeve, për shkak të problematikave që i kanë këta të mëdha nëpër zona dhe që unë do ua zbuloja dhe do ua zbuloj. Do jem në fushatë të jashtëzakonshme. Jam i dënuari i parë politik pas 34 vitesh, do ta bëj nga burgu”, u shpreh ai.