Bashkëpunimi rajonal dhe integrimi europian ishin temat e diskutimit në samitin virtual të Ballkanit Perëndimor që mbajti punimet këtë të hënë nën kujdesin e kancelares gjermane Anela Merkel.
Merkel u shpreh sot se i sheh gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor si anëtare të ardhshme të Bashkimit Europian për arsye strategjike.
“Është në interesin e vetë Bashkimit Europian ta çojë procesin përpara”, tha Merkel.
“Bashkëpunimi më i fortë rajonal, i promovuar që nga viti 2014, tashmë ka arritur sukseset e para, të tilla si një marrëveshje roaming që sapo ka hyrë në fuqi”, shtoi ajo.
Merkel tha, gjithashtu, se Gjermania do të japë tre milionë doza vaksinash antiCOVID-19 për vendet e Ballkanit Perëndimor “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Bashkëpunimi për një treg të përbashkët rajonal dhe njohja e diplomave, ka shtuar Merkel, është një çështje që pritet të ndodhë shpejt. Merkel po ashtu theksoi se ekzistojnë një sërë problemesh mes Kosovës dhe Serbisë, por se një bashkëpunim mes shteteve të Ballkanit është i nevojshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ndërkohë që Komisioni Europian në një deklaratë zyrtare për mediat bëri të ditur se gjatë Samitit, zyrtarët e BE-së rikonfirmuan angazhimin për bashkëpunim dhe mbështetje për rajonin në rimëkëmbjen e tij pas-pandemike përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve.
Gjithashtu ata në emër të Komisionit bën thirrje për përparim të mëtejshëm në integrimin ekonomik të rajonit për të siguruar përfitimet e plota të investimeve të planifikuara.
Ndërsa Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, theksoi se mbyllja e hendekut socio-ekonomik midis Ballkanit Perëndimor dhe BE është thelbësore për procesin e Zgjerimit.