Sali Berisha zhvilloi konferencën e përjavshme për shtyp këtë të premte. Ai sqaroi se ditën e samitit të Procesit të Berlinit nuk është parashikuar protestë, por theksoi se dokumentet elektorale që vërtetojnë farsën në zgjedhje janë shpërndarë në të gjithë botën.
“Nuk është parashikuar protestë ditën e samitit, por dokumentet elektorale janë shpërndarë në të gjithë botën. Libri i zi i farsës elektorale është shpërndarë në të gjitha qendrat, në të gjitha qeveritë të vendeve anëtare të NATO-s, OSBE-së, BE-së dhe Këshillit të Europës. Libri është dërguar, kapitull për kapitull online ODIHR-it dhe ne jemi shumë të kënaqur me raportin objektiv, profesional që ata kanë publikuar”, tha Berisha.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për një ribërje të PD-së, Berisha tha se nuk tërhiqet para një padrejtësie. Ai theksoi se do të luftojë deri në fund me Edi Ramën që sipas tij, kërkon të mbajë peng logon.
“Ti ndajmë pak. Së pari çdo deputet pa përjashtim ka të drejtë dhe ka tagër të diskutojë për PD-në. Së dyti jemi hapur me ju, jo vetëm në atë mbledhje, por ekzistojnë dhe në disa mbledhje të tjera, ekzistojnë mendime që për karshi bllokimit të plaçkitjes së vulës dhe logos nga Edi Rama, PD-ja mund të gjejë modalitete të tjera ligjore. Gjë e cila është normale si diskutim, por mendimi im është ky, se para një padrejtësie njeriu nuk tërhiqet. Ne do të bëjmë një luftë deri në fund me Edi Ramën i cili padiskutim kërkon të mbajë peng logon tonë me Lul Bravën dhe Alibashën dhe e drejta është në anën tonë”, u shpreh Berisha.
Sipas ish-kryeministrit, PD-ja do të fitojë zgjedhjet në 2025.
“E rëndësishme është që do të fitojë zgjedhjet”, u shpreh ai.
Berisha komentoi edhe rikthimet duke u shprehur se rikthimi i tij është realitet jashtëzakonisht i veçantë.
“Rikthimi i Sali Berishës është një realitet jashtëzakonisht i veçantë. Gëzohem shumë që po rikthehet edhe kombëtarja jonë. Rikthimet janë rigjallërime. Por, askujt nuk i mohohet e drejta të ketë qëndrimin e vet. Të kërkojë procedurën që do e me radhë. Është PD kjo, parti e mendimit të lirë”, u shpreh Berisha.