Presidenti amerikan, Joe Biden, kritikoi liderët kinezë dhe rusë për mungesën në samitin e klimës, Cop26. Në një fjalim mbrëmjen e së martës para se të largohej nga Glasgou, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se ndryshimet klimatike ishin një problem i madh, por Kina kishte dështuar të tregonte lidership.
“Kina po përpiqet të marrë një rol të ri si lider global dhe nuk shfaqet në samit. Gjëja më e rëndësishme aktualisht në botë është klima. Është një çështje e madhe dhe ata nuk morën pjesë. Si mund ta bësh këtë dhe të pretendosh që je në gjendje të mbash mantelin e lidershipit?”, tha Biden.
Kina është emetuesi më i madh i dioksidit të karbonit në botë, e ndjekur nga SHBA-ja. Rusia pozicionohet në vend të pestë. Liderët e të dyja vendeve nuk morën pjesë në samit, me justifikimin e pandemisë, por dërguan atje delegacione.
Mbi 120 krerë shtetesh e qeverish u shfaqen në konferencë, duke u dakordësuar mbi marrëveshje të rëndësishme, si ajo e reduktimit me 30 për qind të niveleve të metanit në 2030 dhe dhënien fund të shpyllëzimit në po të njëjtin vit. Por me gjithë lajmet e mira aktivistë të klimës paralajmërojnë se veprimet mund të mos jenë të mjaftueshme për të kufizuar ngrohjen globale nën 1.5 gradë celsius.