Aktualitet Samiti Rajonal i Transportit, Rama: Korridori Blu, brenda mandatit të tretë qeverisës

Samiti Rajonal i Transportit, Rama: Korridori Blu, brenda mandatit të tretë qeverisës

I ftuar në Samitin Rajonal të Transportit që mbahet në Tiranë, Kryeministri Edi Rama foli për projektet infrastrukturore që lidhin vendet e Ballkanit Perëndimor.

E një ndër projektet më të mëdha është Korridori Blu, për të cilin kreu i qeverisë u shpreh besimplotë se brenda mandatit të tretë qeverisës të socialistëve do të mund të jetë funksional, edhe pse ndoshta jo në të gjithë segmentin e tij që lidh disa shtete të rajonit.

“Është një ditë që nis këtu sot me transportin, sigurinë e rrugëve. Nuk dua të zgjatem me projektet, por më  vjen mirë që sot kemi hyrë në një fazë tjetër edhe falë planit europian të investimeve, edhe falë rritjes së mbështetjes së BERZH, edhe falë një sinergjie shumë më të madhe brenda për brenda rajonit dhe një kuptimi shumë më të thellë dhe shumë më konkret të domosdoshmërisë për të bashkuar të gjitha këto forca në funksion të të ardhmes. Jemi në një fazë të avancuar të punës për Korridorin Blu.

Një nga segmentet e këtij korridori është në rrugën e ndërtimit, segmente e tjera janë në fazën përfundimtare të daljes në tendera ndërkombëtare dhe jemi shumë besimplotë që në harkun e këtij mandati të 3 qeverisës ne do të shikojmë frutet e këtij kantieri shumë të madh, edhe pse mbase jo krejt përfundimin e këtij aksi shumë të rëndësishëm. Shpresojmë shumë që BE të mbështesë Malin e Zi sepse nëse segmenti që lidh Kroacinë me Shqipërinë përmes Malit të Zi për ta finalizuar Korridorin Blu do mbetet i pazhvilluar njëkohësisht, atëherë një pjesë e rëndësishme e kuptimit të këtij korridori si një korridor i sistemit evropian të transportit do të humbasë. Na vjen mirë që më në fund Korridori i 8 ka hyrë në axhendën e diskutimeve dhe së bashku me Maqedoninë e Veriut ne jemi të koordinuar dhe shpresojmë shumë që edhe për këtë projekt që nënkupton një kantier në të dyja anët e kufirit, mbështetja e planit ekonomik të investimeve nuk do të mungojë”, u shpreh Rama.

Një tjetër projekt që theksoi Kryeministri është ai i rrugëve smart, zbatimi i të cilit do të fillojë me 200 kilometrat e para.

“Koha që kemi humbur për kaq e kaq shumë vite është në një vlerë të paçmueshme. Për ne është shumë e rëndësishme që së shpejti këtë vit finalizojmë qendrën e integruar të trafikut dhe hyjmë në fazën e zbatimit të projektit të rrugëve smart me 200 kilometrat e para, projekt që do ta vazhdojmë vit pas viti dhe kemi ambicie ta përfundojmë të tërin në një afat kohor të arsyeshëm”.