San Francisko nuk do ta harrojë kurrë 21 nëntorin e vitit 1918. Lufta kishte mbaruar dhjetë ditë më parë dhe të gjithë kishin një dëshirë të madhe për të festuar. Në orën dymbëdhjetë fiks, me anë të një sirene të fuqishme anijeje, kryebashkiaku James Rolph dha sinjalin e shumëpritur për tërë popullatën e gjirit.
Gripi i tmerrshëm spanjoll, që kishte kaluar, në San Francisko u kishte marrë jetën më pak njerëzve në qytetin kalifornian se në çdo metropol tjetër në Shtetet e Bashkuara. Kishte ardhur fundi i kufizimeve, mbylljeve, pezullimeve të shfaqjeve dhe garave të kuajve. Në orën 12, banorët e San Franciskos u mblodhën në të gjitha rrugët në qendër të qytetit për të hedhur maskat që i kishin mbajtur me javë të tëra. Ata u çliruan nga këshillat mjekësore dhe filluan të kërcejnë në rrugë. Një festë që nuk ishte parë prej një kohe të gjatë, por që ishte plotësisht e parakohshme, siç konstatuan autoritetet shëndetësore brenda disa javësh. Në fund të dimrit, qyteti i gjirit doli të ishte më i prekur nga sëmundja vdekjeprurëse, e cila në të gjitha shtetet kishte regjistruar afro shtatëqind mijë të vdekur.
Izolimi në San Francisko kishte qenë pothuajse i menjëhershëm, pas rastit të parë (të importuar nga Çikago) rreth 20 shtatorit 1918. Më 18 tetor, shkollat u mbyllën dhe nxënësit duhej të rrinin në shtëpi; të gjitha mjediset publike u mbyllën dhe çdo grumbullim u ndalua. Tri ditë më vonë mbërritën maskat që shumë shpejt u bënë të detyrueshme për të gjithë. Policia garantoi zbatimin e masave me shumë rigorozitet. Edhe kryebashkiaku Rolph, i fotografuar ndërsa ndiqte një ndeshje boksi, u gjobit nga punonjësit e tij: pesëdhjetë dollarë, një shumë e konsiderueshme për kohën.
Deri më 21 nëntor, San Francisko kishte pasur 23 639 raste gripi, me 2 122 vdekje. Dhe autoritetet vendosën në atë pikë, duke marrë parasysh rënien drastike në raste të reja, të rihapnin gjithçka. Shkollat, teatrot, restorantet, garat e kuajve. Pas orës 12:00, siç shkruante “San Francisco Chronicle”, shkruajti, “trotuaret u mbuluan nga mbetjet e një muaji torturash”, domethënë maskat që u hoqën qafe nga të gjithë, si një shenjë çlirimi dhe fundit të një makthi.
Por euforia nuk zgjati shumë dhe më 7 dhjetor, kryebashkiaku u detyrua të deklarojë zyrtarisht se epidemia ishte kthyer. Këtë herë, megjithatë, popullsia nuk i pranoi me vullnet kufizimet e reja, siç kishte bërë herën e parë me “frymë lufte”, siç shkruajnë gazetat e kohës. Madje lindi një e ashtuquajtur Lidhja kundër maskave, e cila u përpoq të hiqte detyrimin për të mbajtur të mbuluar me garzë hundën dhe gojën. Një demonstratë publike kundër këtyre mjeteve mbrojtëse që ishin bërë të urryera mblodhi mbi dy mijë njerëz në rrugë.
Në pak javë, numri i përgjithshëm i rasteve të gripit u rrit në më shumë se tridhjetë mijë dhe të vdekurit arritën në tre mijë. Kur Bordi Shëndetësor i ShBA-së publikoi të dhënat kombëtare në mes të shkurtit, doli që San Francisko kishte paguar çmimin më të lartë në të gjithë vendin./ Corriere della Sera