Sport Sanchez bëhet i Interit, Conte “ndryshon pllakën”

Sanchez bëhet i Interit, Conte “ndryshon pllakën”

Ashtu siç edhe lajmëroi administratori i Interit, Giuseppe Marotta, në prag të ndeshjes ndaj Getafes, sot ka ardhur edhe komunikata zyrtare, që e bën Alexis Sanchez përfundimisht një futbollist zikaltër.

Interi arriti marrëveshjen me Manchester United për të marrë me parametra zero sulmuesin 31-vjeçar, i cili nga ana tjetër ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me Sanchez, me një pagë prej 7 milionë eurosh në sezon.

Futbollisti është pjesë e zikaltërve që prej verës së kaluar, kur erdhi në huazim një vjeçar nga Manchester United, por fillimi në Milano ishte mjaft i vështirë, pasi qëndroi për disa muaj larg fushave për shkak të një dëmtimi.

Ndërprerja për shkak të pandemisë punoi në favor të Sanchez, i cili rigjeti formën më të mirë dhe që prej rifillimit të kampionatit ka luajtur shumë ndeshje si protagonist, duke bindur zikaltrit ta transferojnë përfundimisht.

Sulmuesi kilen kishte edhe dy vite kontratë me Manchester United, ku përfitonte një pagë vërtetë të majme, ndaj “djajtë e kuq” zgjodhën ta lënë të lirë t’i bashkohet Interit, për të kursyer rreth 60 milionë euro.

Tani për sezonin e ardhshëm te Interi janë të konfirmuar Romelu Lukaku dhe Alexis Sanchez, ndërsa ka ende për Lautaro Martinez, pasi pikërisht nga e ardhmja e tij, pritet të kushtëzohet edhe merkatoja në sulm e zikaltërve.

Conte “ndryshon pllakën

Vlen të përmendet se në përfundim të ndeshjes me Getafen ishte trajneri Antonio Conte që nuk i kurseu komplimentet për drejtuesit e klubit, për punën e bërë me transferimin përfundimtar të Alexis Sanchez.

Interi mundi Getafe dhe siguroi vendin në “Final Eight” të “Europa League”, në pritje të mësimit të kundërshtarit të radhës, që do të dalë nga përplasja mes Bayer Leverkusen dhe Rangers. Antonio Conte, i intervistuar nga “Sky Sport” në fund të lojës, kësaj here ishte bujar me komplimente edhe ndaj klubit, që bleu Sanchez: “Unë mendoj se blerja e Sanchez ishte një operacion i shkëlqyer i klubit. Kushtet ishin shumë të mira dhe klubi meriton lavdërime. Ne e merituam Alexis, sepse arriti në kohën më të keqe të karrierës së tij. Ai mbërriti pas dy viteve të vështira dhe u lëndua. Është e drejtë që Interi ta shijojë atë”.