Alexis Sanchez ka pranuar se dëshironte të largohej nga Manchester United dhe të kthehej tek Arsenali, që pas seancës së parë stërvitore me “Djajtë e Kuq”. Ish-sulmuesi i Barcelonës u largua nga “Emirates” për në “Old Trafford” janarin e vitit 2018, por vuajti shumë gjatë dy sezoneve atje, para se të huazohej tek Interi vitin e kaluar. Në Serie A, përgjatë sezonit 2019-2020, Sanchez luajti pak ndeshje për shkak të dëmtimit, por siguroi transferimin e përhershëm te zikaltrit në gusht.
Duke reflektuar mbi kohën e tij në Manchester, përmes një videoje të postuar në Instagramin e tij, 31-vjeçari pretendon se e kuptoi shumë shpejt se nuk do ta shijonte eksperiencën te “Djajtë e Kuq”. Që në fillim e shokoi mungesa e unitetit të skuadrës gjatë kohës së tij atje: “Pas seancës së parë stërvitore kuptova shumë gjëra. Shkova në shtëpi dhe pyeta familjen time dhe menaxherin nëse mund ta prishja kontratën dhe të kthehesha tek Arsenali. Diçka nuk më shkonte mirë, por tashmë kisha nënshkruar.
Kaluan muaj dhe unë ndjeva të njëjtën gjë. Nuk ishim të bashkuar si ekip në atë kohë. Gazetarët, gjithashtu, shkruanin pa e ditur situatën dhe kjo më dhembi. Ish-lojtarët, po ashtu, folën dhe nuk kishin idenë se çfarë po ndodhte brenda klubit. Edhe ata më lënduan.
Një lojtar varet nga mjedisi i brendshëm, ne duhet të jemi një familje. Nuk ishim të tillë dhe u pasqyrua në fushë. Nëse dikush duhej të fajësohej, ata merreshin vetëm me mua. Unë bëj vetëkritikë dhe duhet të kisha luajtur më mirë. Sidoqoftë, gjithnjë më fajësuan, edhe nëse luaja për disa minuta”.
Sanchez, në fund të fundit luajti 45 ndeshje me “Djajtë e Kuq”, duke shënuar vetëm 5 gola dhe kontribuar me 9 asiste. Këto janë shifra të zbehta në krahasim me 80 golat që shënoi në 166 ndeshje me “Topçinjtë”.