Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë futur në listën e zezë 10 individë, teksa kanë shpallur raundin e radhës të sanksioneve ekonomike në Ballkan.
Sipas ueb-faqes zyrtare të Thesarit Amerikan, individët e sanksionuar janë nga Bosnja-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Në mesin e tyre janë Savo Cvijetinoviç, Petar Gjokiç dhe Dushko Peroviç nga Bosnja-Hercegovina; Miodrag Davidoviç dhe Branisllav Miçunoviç nga Mali i Zi; Ratka Kunoska Kamceva, Irina Samsonenko dhe Sergey Samsonenko nga Maqedonia e Veriut; dhe Misha Vaçiç e Nenad Popoviç nga Serbia.
“Rusia ka vazhduar të përdorë ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor për të parandaluar integrimin e rajonit në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, si dhe të përdorë juridiksionet kryesore për të lehtësuar aktivitetet e saj agresive destabilizuese,” ka thënë nënsekretari për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare i Thesarit amerikan, Brian E.Nelson.
“Veprimi i sotëm rikonfirmon përpjekjet më të gjera të qeverisë amerikane për të promovuar paqen, stabilitetin dhe qeverisjen funksionale demokratike në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, është shprehur Nelson.
Petar Gjokiç është Ministër i Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Republikës Sërpska (RS) dhe president i Partisë Socialiste atje. Që nga viti 2010, ai ka mbajtur poste të ndryshme ministrore në qeverinë e këtij entiteti të Bosnje e Hercegovinës. Në fillim të nëntorit, në Beograd, me rastin e festimit të festës ruse, Ditës së Bashkimit Kombëtar, atij iu dha një çmim për shërbimet e tij “në forcimin e miqësisë midis RS-së dhe Rusisë”.
Dushko Peroviç është kreu i Përfaqësisë së RS-së në Moskë. Ai është kryesisht i pranishëm gjatë vizitës së presidentit të RS-së, Millorad Dodik, në kryeqytetin e Rusisë, dhe takimeve të tij me liderin rus, Vladimir Putin.
Savo Cvijetinoviç, i njohur me pseudonimin “Tigri”, është biznesmen nga Bijelina, në verilindje të Bosnje- Hercegovinës. Ai është themelues dhe drejtor i kompanisë “Inženjering-BN”, e cila gjithashtu u vendos në listën e sanksioneve amerikane. Cvijetinoviç është edhe kryetar i komunitetit serbo-rus “Zavet”. Gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, ai ishte kreu i Njësive Speciale të Policisë së RS-së.
Nenad Popoviç, politikan nga Serbia, i afërt me autoritetet ruse, është kryetar i Partisë Popullore Serbe – partnere koalicioni e Partisë Progresive Serbe në pushtet. Në mbledhjen e fundit të Parlamentit të Serbisë, të shpërndarë para zgjedhjeve që do të mbaheshin më 17 dhjetor, ai ishte deputet i shumicës qeverisëse. Nga viti 2017 deri në vitin 2022 ka qenë ministër pa portofol në Qeverinë e Serbisë. Partia e Popoviçit bashkëpunon me Rusinë e Bashkuar, partinë e presidentit rus Putin, me të cilën ka nënshkruar disa marrëveshje ndërpartiake. Si ministër dhe deputet, Popoviç pati takime të shumta me zyrtarë rusë në Serbi dhe Rusi, dhe që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, ai avokoi që Serbia të mos vendoste sanksione ndaj Rusisë.
Branislav Brano Miçunoviç nga Nikshiqi prej vitesh është i lidhur me biznesin e ndërtimit dhe lojërave të fatit në Mal të Zi, si dhe me kompanitë “Jack Pot” dhe “Zeta Film”. Pranë Qytetit të Vjetër në Budvë, në vendin e ish-ndërtesës së “Zeta Film”, kompania e Miqunoviçit po ndërton, me partnerë të huaj, një hotel 12-katësh me kazino. Miçunoviç njihet si mik i ish-presidentit malazias, Millo Gjukanoviç. Ai u akuzua për vrasjen e Radovan Kovaçeviçit nga Nikshiqi në tetor të vitit 2000, por në vitin 2007 u shpall i pafajshëm, sepse përkundër disa personave të pranishëm gjatë vrasjes, askush nuk e identifikoi Miçunoviçin si personin që qëlloi me armë zjarri. Miqunoviç ishte gjithashtu një nga të pandehurit në Bari të Italisë për kontrabandë cigaresh gjatë viteve 1990, por, në vitin 2019, kolegji i Gjykatës në Bari e pezulloi procedurën kundër tij për shkak të parashkrimit.
Çështja e duhanit u hap në Mal të Zi në vitin 2001, pasi në Bari filloi një hetim për kontrabandën e cigareve nga Mali i Zi në Itali, në fillim të viteve nëntëdhjetë. Në hetim janë përfshirë rreth 15 persona nga Mali i Zi dhe Italia, mes të cilëve edhe Gjukanoviç. Të gjithë u shpallën të pafajshëm më vonë./REL