Aktualitet “Sapo janë arrestuar dy ‘koka’ të mëdha të krimit”, Balla: Bashkëpunimi me...

“Sapo janë arrestuar dy ‘koka’ të mëdha të krimit”, Balla: Bashkëpunimi me SPAK është jetik për pastrimin e policisë

Gjatë fjalës në Kuvend, në interpelancën e thirrur nga deputeti demokrat, Ervin Salianji, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, është shprehur se bashkëpunimi me SPAK është jetik për pastrimin e policisë.

Ai theksoi se prioritetet e qeverisë janë lufta ndaj krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike. Ministri njoftoi se sapo janë arrestuar në Spanjë dhe Itali dy kriminelë, të cilët do të ekstradohen në Shqipëri.

“Lajmi më i përhapur sot pavarësisht këndvështrimit tuaj, është certifikimi ndërkombëtar si një vend i sigurt turistik. Shqipërisë i është pastruar njëherë e përgjithmonë imazhi i nxirë nga një e shkuar e rëndë shumëvjeçare. Turistët fjalën e parë që artikulojnë është siguria dhe kjo nga turistët që vijnë nga vende që siguria është e lartë. E vërteta është se janë turistë që ndihen të sigurt në Shqipëri.

Të nderuar kolegë, na duhet të kemi dhe t’i ofrojmë më shumë mbështetje policisë së shtetit. Jemi në fazën e fundit për të mundësuar një rritje të lartë të pagave për punonjësit e policisë së shtetit, në korrik.

Rezultatet e arritura, deri më tani, janë fillimi i një revanshi të sundimit të ligjit ndaj krimit të organizuar. Në territorin e kësaj republike, nuk mund të ketë të fortë mbi ligjin, ndaj qytetarëve. Lufta ndaj krimit të organizuara dhe siguria publike është prioriteti i kësaj qeverie”, tha Balla.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla preku dhe ekstradimet e eksponentëve të krimit në Shqipëri. Ai njoftoi se sapo janë vënë në pranga dy personazhe të tjera në Itali e Spanjë, që pritet të ekstradohen në vendin tonë.

Balla theksoi se në Shqipëri janë arrestuar 103 persona me qëllim ekstradimin jashtë vendit, ndërsa 104 persona janë arrestuar me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë.

Mes tyre, theksoi ai, ka edhe “koka të mëdha”.

“Ke edhe personazhet që kërkon, kokat e mëdha të krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të narkotikëve. Për herë të parë po realizojmë ekstradim dhe deportim nga vende që nuk kemi marrëveshje ekstradimi sikurse ishte ekstradimi i Ruben Saraivës”, nënvizoi ministri.