Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy ka botuar këtë të martë autobiografinë e tij të titulluar “Le temps des combats” (Koha e betejave), ku mes episodeve më interesant bën pjesë një, ku protagonist është ish-kryeministri i ndjerë italian Silvio Berlusconi.
Ngjarjet kanë ndodhur në Kanë, më nëntor 2011, ditën kur është zhvilluar samiti i G20.
Nicolas Sarkozy dhe Angela Merkel në këtë samit janë përpjekur të bindin Silvio Berlusconin të largohet nga udhëheqja e qeverisë, vendim që do të komunikohej prej tij vetëm 12 ditë më vonë.
Sarkozy e kishte rrëfyer tashmë këtë hap vendimtar, por jo në termat dhe me detajet e hedhura në rreshta në librin e tij, “Koha e betejave”.
Ish-presidenti thotë se është ” i pikëlluar për vdekjen e Berlusconit”, ndërsa më tej rindërton ngjarjet, duke filluar nga 26 prilli 2011, kur ai mbërrin në Romë për një takim dypalësh franko-italian.
Me atë udhëtim në kryeqytetin italian, mendimet e tij për Berlusconin dhe Mario Draghin kanë qenë të përziera.
Sarkozy shkruan: “Marrëdhëniet tona kishin filluar të përkeqësoheshin. Berluskoni po bëhej një karikaturë e vetvetes. Sipërmarrësi brilant, politikani me energji të paepur, nuk ishte veçse një kujtim i largët. Episodi i trishtë i “Bunga-Bungës” kishte paralajmëruar një fund të palavdishëm. Përfitova nga ai udhëtim romak për të mbështetur kandidaturën e Mario Draghit në presidencën e Bankës Qendrore Evropiane. Draghi ishte kompetent, i hapur dhe i pëlqyeshëm. Bashkëpunimi i tij i gjatë me Goldman Sachs do të na kishte garantuar një qasje më shumë “amerikane” sesa “gjermane”. Një aspekt vendimtar në sytë e mi”.
Sarkozy kujton po ashtu krizën “vdekjeprurëse” financiare të nxitur nga mosbesimi ndaj bursave. Alarmi në Evropë ishte i përgjithshëm asokohe dhe me këtë klimë liderët mbërritën në nëntor, në G20 e Kanës.
Edhe presidenti amerikan Barack Obama dhe udhëheqësi kinez Hu Jintao ishin shumë të shqetësuar. “Samiti trajtoi kolapsin grek”, por – vëren Sarkozy – “në këtë pikë çështja primare ishte shpëtimi i ekonomisë së tretë më të madhe në eurozonë: Italia“.
Normat e interesit të borxhit publik nga qeveria në Romë ishin arritur në 6.4%, një nivel që konsiderohet i paqëndrueshëm dhe i rrezikshëm për qëndrueshmërinë financiare.
“Angela Merkel dhe unë vendosëm të thërrisnim Berlusconin për ta bindur atë të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të provuar të qetësojë stuhinë në vazhdim”, rrëfen Sarkozy në librin e tij.
“Kryeministri italian filloi të shpjegonte se ne nuk e kishim kuptuar që nuk kishte rreziqe në tregjet ndërkombëtare, sepse borxhi publik italian ishte në duart e italianëve. Ai donte të krijonte më shumë borxhe që ta mbanin mbi supe vetëm bashkatdhetarët e tij. E gjithë kjo ishte mjaft delirante”, shton ish-presidenti francez.
Takimi më pas sipas rrëfimit është bërë gjithnjë e më i hidhur, pavarësisht se Berlusconi u përpoq të zbuste atmosferën me disa batuta klasike të tijat, të cilat Sarkozy i gjykon si “krejtësisht pavend“.
“Kishte një moment tensioni të madh mes nesh, kur më duhej t’i shpjegoja se ai ishte problemi i Italisë! Unë dhe Angela ishim të bindur se ai ishte bërë primi i rrezikut që vendi duhej t’u paguante zotëruesve të bonove të thesarit. Menduam sinqerisht se situata do të ishte më pak dramatike pa të dhe qëndrimin e tij patetik. Orët ishin kritike. Ne duhej të sakrifikonim Papandreun (kryeministrin e Greqisë në atë kohë) dhe Berlusconin për të frenuar cunamin. Tregjet e kuptuan se ne donim dorëheqjen e Berlusconit. Ishte mizore, por e nevojshme”