Interi dhe Juventusi do të përplasen mbrëmjen e nesërme në një sfidë që ka të gjithë vëmendjen e Italisë. Në kuadër të përballjes, përpara mediave ka folur trajneri bardhezi Maurizio Sarri. Ky i fundi është shfaqur shumë diplomat, teksa flet me superlativa për Interin dhe trajnerin Conte. Gjithashtu, Sarri u shpreh se të flasësh për titullin që tani është diçka absurde.
Ndeshja – “Kemi akoma disa gjëra për të vendosur. Duhet të shohim se si do të shkojë stërvitja e sotme. Nesër do të luajmë ndaj një ekipi të fortë. Nuk ka favoritë në një ndeshje të tillë. Është një ndjenjë fantastike të jesh pjesë e kësaj sfide.”
Conte – “Conte është trajner fantastik, faktet dhe shifrat e vërtetojnë këtë gjë. Ai po i shfaq vlerat e tij dhe tek Interi. Ndeshja nuk është Conte kundër Sarrit, nesër do të jetë një ndeshje e bukur mes Interit dhe Juventusit.”
Titulli – “Janë akoma edhe 31 ndeshje, më duket e pakuptimtë të flasim për titullin. Për momentin është e rëndësishme të konfirmojmë që jemi në rritje dhe jemi të aftë të menaxhojmë ndeshjet siç duhet. Duhet të tregojmë që mund të largohemi nga ‘San Siro’ me një performancë të madhe. Janë në lojë ende 93 pike, duket absurde të flasësh për titull.”
Sulmi – “Higuain apo Dybala në sulm? Të shohim si do të shkojë stërvitja. Kjo është puna ime”.