Sport Sarri për finalen kundër Napolit: Acarohem kur më thonë se nuk kam...

Sarri për finalen kundër Napolit: Acarohem kur më thonë se nuk kam fituar asgjë në Itali

Sarri “takohet” me të kaluarën e tij përsëri në finalen e Kupës së Italisë, për të provuar të ngrejë një trofe të rëndësishëm në territorin italian, pasi dështoi ta bëjë këtë në vitet si trajner i Napolit.

Maurizio Sarri doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të finales së Kupës së Italisë, që është planifikuar për t’u luajtur nesër në mbrëmje dhe që për rastësi do të gjejë përballë të shkuarën e tij, Napolin.

Tekniku i bardhezinjve deklaroi se acarohet shumë kur i thonë se nuk ka fituar ende asgjë në Itali, ndonëse gjatë karrierës së tij ka çuar një kategori më lart plot 8 skuadra dhe ka garuar për 3 sezone për titull me Napolin.

“Kur më thonë që nuk ke fituar asgjë në Itali, më vijnë k…. rrotull. Kam ngjitur 8 skuadra një kategori më lart, por e di që janë shumë pak për ata që flasin për tituj si Champions e kampionat. Nuk më intereson kundërshtari që kam përballë, por vetëm skuadra ime, pasi dua që ta fitojmë atë trofe nesër”, deklaroi Sarri.

Sarri ende nuk ka vendosur se cili do të vendoset përpara, në majën e sulmit: “Jo se me modul tjetër ne japim shumë referenca, por djemtë janë më të lirë përpara. Po përpiqemi të luajmë me Dybala si “9” fals. Ronaldo kundër Milanit luajti si pjesa tjetër e ekipit, fillimisht mirë dhe pastaj i ra ritmi. Për këtë periudhë, kjo është normale”.

Maurizio Sarri nuk pati asnjë deklaratë dashurie për të kaluarën e tij blu: “Finalja që do të më pëlqente? Me rëndësi është që jemi këtu, tani jam i përqendruar vetëm tek vetja. Pavarësisht kundërshtarit, ka ardhur koha që të japim gjithçka që kemi. Rezultatet për një trajner të vitit të parë të Juventusit janë më të mirat e 50 viteve të fundit. Ua them unë, nëse askush nuk e kujton këtë”.

Jashtë Higuain, pothuajse me siguri, ndërsa Ramsey është në dyshim të madh: “Gonzalo, le të shohim… Unë mendoj se jo, nuk do të jetë. Deri dje ka bërë stërvitje krejt të diferencuar. Ne do t’i marrim vendimet sot, por nuk mendoj se ka ndonjë lajm befasues rreth tij. Ramsey u stërvit 20 minuta me shokët e skuadrës, por dje ishte dita e parë. Le të shohim nëse ka disponibilitet për një pjesë të vogël të lojës. Kjo do të varet nga diskutimi sonte me lojtarin dhe mjekët”.