Presidenti Joe Biden e ka shkurtuar me gati dy javë afatin kur çdo i rritur në SHBA do të kualifikohet për vaksinim kundër koronavirusit.
“S’do të ketë më rregulla konfuzuese, s’do të ketë më kufizime”, tha presidenti të martën në Shtëpinë e Bardhë duke njoftuar se që nga data 19 prill “çdo 18 vjeç e sipër përmbush kushtet për t’u vaksinuar”.
Njoftimi i presidentit vjen në një kohë kur vendi po përballet me valën e katërt të rritjes së infeksioneve, sidomos në radhët e të rinjve.
“Nuk jemi ende te vija e finishit”, tha presidenti. “Ende kemi shumë punë për të bërë. Jemi në garë për jetë a vdekje me virusin”.
Presidenti vizitoi të martën një objekt vaksinimesh rreth 12 km nga Shtëpia e Bardhë, ku ai foli për shpejtimin e ritmeve të imunizimit. “Kur të ktheheni në shtëpi, tregojuni miqve që të vaksinohen sapo ta kenë mundësinë”, u tha Biden atyre që prisnin për t’u vaksinuar në një kishë të vogël të Shkollës Teologjike të Virxhinias.
Gjatë javës së fundit, infektimet e reja kanë shënuar 7% rritje krahasuar me periudhën e mëparshme shtatë ditore. Shtrimet në spitale janë rritur 3%, ndërsa vdekjet nga COVID-19 kanë shënuar rënie të vogël duke arritur në rreth 800 viktima në ditë.
Shtimi i infektimeve shihet si pasojë e uljes së numrit të personave që vënë maskë, shtimi i pjesëmarrjes në aktivitete publike, intensifikimi i udhëtimeve dhe përhapja e varianteve të reja.
“Këto variante janë më ngjitëse”, tha presidenti. “Ato janë më të rrezikshme, por vaksinat japin efekt”.
Shtëpia e Bardhë dhe zyrtarë të shëndetësisë po përpiqen t’i mëshojnë mesazhit për vigjilencë, pasi popullata ka shfaqur lodhje nga masat kufizuese pas 13 muaj pandemie.
Në Shtetet e Bashkuara janë bërë deri tani mbi 150 milionë doza vaksine, sipas Shtëpisë së Bardhë, e cila deklaron se “afro 1/3 e popullatës amerikane dhe rreth 40% e të rriturve kanë bërë të paktën një dozë, ndërsa afro 1/5 është e imunizuar plotësisht” me një nga tre vaksinat që kanë marrë miratim emergjent nga autoritetet federale amerikane.
Vende të tjera kanë kërkuar ndihmë nga Uashingtoni për t’u dërguar doza vaksine, por administrata e Presidentit Biden ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se dëshiron fillimisht të sigurohet se ka sasi të mjaftueshme për të imunizuar amerikanët.