-Ese analizë rreth librit me poezi lirike; “unë dhe Unë”, e Sokol Olldashit-
Poezia, në kuptimin e përgjithshëm, mund të përkufizohet si “shprehje e meditimit dhe imazhit të vërtetë të jetës së rrëfyer në të vërtetën dhe me origjinalitetin e saj të përjetshëm. Poezia heq velin e bukurive të fshehura brenda botës njerëzore, ajo vështron në zemrën e ndjenjave dhe gjërave, dhe prodhon jo vetëm larminë e shpirtit melodioz, por edhe harmoninë e tingujve të emocioneve duke vënë në sprovë veten, me të gjitha figurat, frymëzimin, mendimet dhe veprimet me të cilat poezia bashkëjeton. Poeti është si ai bilbili këndonjës që rri ulur në errësirë, thur vargje dhe i “këndon” vetë ato. Në këtë gjendje poetin e çon kupa e frymëzimit me ngrohtësi, butësi, mirëkuptim, mirësi, dashuri, përzemërsi, kupa e mallit dhe e dhimbjes, e brengave dhe ajo e dertit të një shpirti lakuriq e të lirë-sepse zemra e bukur e poetit rreh edhe pas ikjes së tij në amshim.
“unë dhe Unë”, titullohet vëllimi i dytë me poezi i liderit dhe politikanit të shquar demokrat, juristit dhe gazetarit të ndjerë, Sokol Olldashi. Vëllim me poezi të cilin unë pata fatin dhe kënaqësinë ta kem në bibliotekën time me autografin e nënës së tij, dhe mikes sime fisnike, Kozeta Mamaqi. Në një bisedë që pata me Kozetën, ajo më rrëfeu, Koli ka qenë pasionant i poezisë që në fëmijërinë e hershme të tij dhe i ka botuar ato në shtypin e kohës. Madje ka botuar edhe përkthime me poezi të poetëve të huaj. Kur ishte student ka botuar vëllimin e parë me poezi të titulluar “Teatri i hijeve”, në shtypshkronjën “Rilindja” e Kosovës, porse asaj kohe operonte në Tiranë.
Menjëherë mbas ikjes tragjike dhe të beftë në amshim të birit të saj, ajo u kujdes, mblodhi e redaktoi krejt poezitë e pabotuara të Sokolit, duke sjellë për dashamirësit e poezisë dhe për të gjithë miqtë e birit të saj, -librin me poezi “unë dhe Unë”!
Deri në çastin që libri pa dritën e botimit, disa nga ne apo disa nga adhuruesit e tij si politikan, nuk e dinim që Sokoli politikan kishte fshehur brenda vetes, Sokolin artist, poetin lirik elitar, alternim i lidhjes së fuqishme që ekziston midis natyrës dhe shpirtit njerëzor.
Në historinë e letërsisë botërore janë të shumtë poetët dhe shkrimtarët që kanë studiuar për drejtësi, shkenca sociale dhe politike, që janë ligjbërës, ligjvënës, profetë, shkencëtarë dhe punëtorë të thjeshtë, janë politikanë dhe artistë. Disa vite më parë poeti i shquar amerikan Michael Levan u prezantua për lexuesin American, atë anglishtfolës e më gjerë, me romanin “Poetët bëjnë dashuri ndryshe”!
Ndërsa unë do të shtoja që Sokoli Poet vërtet bën dashuri krejt ndryshe; përmes vështirësive e sakrificave dhuron vetëm mirësi e dashuri përballë kapricove të jetës në librin e tij të titulluar “unë dhe Unë”. Sokoli i ofron lexuesit mesazhe të ngrohta e frymëzuese nga përjetimet e çiltra, ofron ndjenjë dhe emocion, përherë në kërkim të fjalës së bukur për të ndërtuar figura dhe endur vargjet lirike dhe meditative.
Vëllimi poetik “unë dhe Unë”, i politikanit të njohur dhe poetit Sokol Olldashi, dalë nga shtëpia botuese Gent-grafik vjen si një mozaik i këndshëm, poezitë janë mirëvendosur në dhjetë kapituj me nëntituj respektivë. Sokoli është Poet lirik, me urtësinë e origjinalitetit e mendimit, frymëzimit dhe lirizmit pasionant të artit poetik. Ai është kërkues ndaj vetes, i përgjegjshëm ndaj lexuesit, dhe duket sikur e ka kapur kohën fort për ta ndjekur e mos iu ndarë. Me shpirtin e lirshëm dhe vitalitetin e tij origjinal, gjuhës së pastër shqipe, rrjedhshmërinë dhe harmoninë e vargjeve dhe strofave, Sokoli tregon një kujdes të veçantë në gdhendjen dhe lëmimin e intimitetit lirik, meditativ, erotik, sarkazëm therëse plot ironi dhe mençuri, që shpërfaqet në konsekuencën e mendimit varg pas vargu dhe në sjelljen e natyrëshme të figurave dhe metaforave të goditura filozofike e artistike, pa sforco e shtrëngim. Poeti i jep frymë poetike reales dhe emocionit të çastit, në harmoni me kontrastet shoqërore, forcës sociale, ekzistencës njerëzore dhe besimin në të vërtetën e sfidës mistike të dashurisë për jetën, në diagramën e dramave të vogla e të mëdha në të përditshmen njerëzore.
Përemri vetor “unë” është i vecantë dhe “i fortë” në libër, ofron një ton bisedor “…unë di si të dua” –thotë Sokoli Poet, – varg që dëshmon jo vetëm meditimin e poetit, por edhe ndjeshmërinë e vargut në detaj, që dëshmon për përvojën dhe kujdesin e vecantë në gdhendjen e atij vargu lirik. Përvojat jetësore janë individuale dhe “të vërteta” dhe ato janë të rrënjosura në realitet, dhe të rrëfyera me një ton balador me kolor romantik, hera-herës erotik, gjeneroz në ndjenjë dhe emocion, njerëzor në komunikim nëpërmjet apelit që bën pengu i ndonjë dashurie të vjetër: “…do të ndalem në prag sic ndalem te ty. /Aty do të të lë, / Siç ke bërë ti më parë. /Më tej do të ecim, / Drejt pikës nga erdhëm, /Për t’u rinisur pa kthim.”
Është një bisedë e lirshme, realiste dhe rrëfimtare në vetën e parë, ku “unë” nënkuptohet dhendihet shpirti individual alegorik i trazuar i poetit, konceptimi i veçantë i kësaj poezie me ndjenjë, dhimbje, mall nga ritmi, rima, gjuha e rrjedhshme, leksiku i kujdesshëm, tematika e pasur dhe nga erudicioni i karaktereve dhe i vargjeve, që nuk mund të shmangë mistiken e tundimit erotik për të fshehtën dhe irealen. Edhe pse ka bërë një betim, Sokoli dëshmon dashurinë e përjetëshme, me ç’rast na intereson ndjenja dhe emocioni që përfitojmë nga leximi i saj.
Që në titullin e poezisë “Ditën që vdiqa linda sërish”, Sokoli Poet ka vendosur kuptimin alegorik dhe shpirtin e tij të lirë; “Pa asnjë pikë hidhërimi/që kënaq vec hipokrizinë tuaj/ ju njoftoj se unë kam vdekur/ E pikërisht në këtë cast ndihem i gjallë/ trup real”.
Poeti demonstron fuqishëm dhe shfrytëzon ndjeshëm me mjeshtërinë e vet artistike dhe filozofike, në marrëveshje me heshtjen dhe shkruar kaq mirë, ku emocionet janë të forta, prekëse e mallëngjyese të rrënjosura këto në imazhet konkrete dhe të mahnitshme, se si në të vërtetë janë dhe se si ne i perceptojmë ato të jenë…
Poeti heton dhe vepron me çdo shqisë të tij përmes integritetit të gjuhës, ndërtimit fizik të poezisë dhe kulturës poetike thellësisht humane, plot figura artistike, kjo dallohet në konceptimin e vargut poetik dhe fizionominë e tij. Cdo varg i kësaj poezie është kaq precize dhe ndjellëse – trimëri e pafajshme- vdekje, lindje, dhimbje dhe trishtim, për të treguar luftën për jetën dhe metafizikën e natyrës njerëzore që është sa e butë dhe e paprinciptë, që ka edhe koston e vet, e mpak, e thinj dhe e tret poetin, dhe i mban peng shpirtin e lirë; “Metamoforzë makabre/ m’i ndryshoi gjymtyrët/ Njeriu si ju më solli mendime reptile/ me të cilat të rend qoftë edhe njëherë.”
Në këtë poezi, imazhi i gjetjes së vetes “Ditën që vdiqa linda sërish”, poeti është literal edhe metaforik në përpjekje për të shtjelluar marrëdhëniet mes “vdekjes dhe lindjes”, mes realitetit të jetës dhe kuptimit të saj, dhe kontraston zbulesën nën petkun vdekjes, legjitimon melankolinë dhe trishtimin dhe shmangjen hedonistike të saj:
“Ju njoftoj me hidhërim të madh/ se s’do ta kënaq hipokrizinë tuaj naive/”-
Edhe metaforat me intrigë meditative dhe elokuente që i referohen “ndihem i gjallë/ trup real”, – herë-herë janë pozitive, dhe përfaqësojnë një ekuilibër në reflektimin “real” me botën dhe me njerëzit në rrugëtimin e lumtur e të trishtë të jetës. Poeti e mban fjalën dhe lind sërish mbas vdekjes, dhe ngjall ndjenjën e të qënit plotësisht në paqe me veten.
Sokoli indentifikon veten si një emocion dhe krijon një dualitet të paqëndrueshëm midis vetë-ndjenjës dhe asaj “hipokrizinë tuaj naïve” që “ju” jeni në realitet. Nëse interpretimi i realitetit nuk përputhet me atë që realiteti portretizon vërtet, ai mund të shkaktojë vuajtje për hipokritët e “lumtur”;
“se unë/ditën që vdiqa/ linda sërish/ për t’iu varrosur (më parë) ju…”
Ndërkohë, jeta ofron dhe konfuzon, një mishmash vlerash dhe idesh prej të cilave nuk mund të jemi gjithmonë të qartë e të mbrojtur. Sokoli poet në të shumtën e poezive ka zgjedhur poezinë e shkurtër me një stil të ndërlikuar nga ana artistike dhe filozofike, gjetjen e detajeve dhe muzën poetike. Vargu, metrika e vargut, ritmi ose theksi ritmik, strofa distik, katërshe, e me disa vargje dhe stansa klasike duke na dhënë një realitet të prekshëm për nga mesazhi, me një përvojë të shndërruar në një realitet original dhe të interpretuar. Për poetin, është e pamundur të jesh i lumtur gjatë gjithë kohës; “Largohu ti instikt i së keqes, /që u zgjove në zemrën time/ se sheh që i prish asaj ëndërrimet”, – sepse lumturia është një emocion që ndjell pas vetes misteret e jetës, trishtimin dhe zemërimin, epshin dhe zilinë, mëkatet njerëzore; “Si bisha, / na cirrnin zhgjëndrat, / që vishnin me të bardha qefinin, / ku gozhdonin shpërthimin e ndrydhjes sonë,/ Marshonim këmbëzbathur, por putrat i përplasnim,/ mbi asfaltin vizkos të shoqërisë moderne,/ urinë e shuanim,/ me maskat hipokrite,/ të fytyrave njerëzore,/Etjen,/me helmin e gjembave,/ që mbinin mbi epitafin e shpirtit.”
Sic duket edhe nga vargjet e mësipërme është përjetimi i ndjenjës dhe pesha e fajshmes dhe e së pafajshmes, ka një analogji natyrale midis Sokolit politikan, intelektual dhe poet, që në mënyrë metaforike paraqet tablonë e rrugëve të fateve njerëzore dhe e shtyn poetin t’i bëjë objekt të artit të të shkruarit dukuritë e dhimbëshme, dhe të shëmtuara të jetës.
Këto përjetime të ciltra e rrëfyese, të dhimbëshme e të trishta, të ngrohta e frymëzuese janë një lloj ngushëllimi apo katharsisi të ngopura me ndjenja dhe emocione. Këto dukuri i vërejmë në përgjithësi në poezitë e këtij libri, të ndërtuara mjeshtërisht me figura të goditura letrare-artistike e filozofike, dhe lirizëm tejet të vecantë: “Valsi i merimangave”, “Vetëm shpirtin kam”, “Pejsazh pijetoreje”, “Dialog me priftin”, Drejt pikës nga erdhem”, “1997”, “Teatri i hijeve”, Pragjet”, “Ne shkuam shumë larg”,etj., –janë poezipër të zbuluar se në cilin drejtim duhet të aspirojmë vërtet. Nuk ka si të ndodhë ndryshe, Sokoli është dëshmitar e këtyre emocioneve, sepse ky është tagri i Poetit, përjetimi i tyre dhe meditimi paqësor i emocionit të vërtetë që është vetëdija, origjinaliteti. Sokoli Poet, duke shfrytëzuar mjeshtërinë e vet artistike për të shmangur monotoninë, në secilën poezi ka larmi vargu e rimë por që përshkohen nga ndjeshmëria e lartë filozofike dhe artistike. Sokolidemonstron ndjeshëm dhe artin e forcës së fjalës, dramacitetin, tensionin e vargut, alegoritë, paralelizmat, që përbëjnë anën tjetër; “mbi asfaltin vizkos të shoqërisë moderne”, – të asaj shoqërie që përherë ka pasur e do ketë -“maskat hipokrite të fytyrave njerëzore”, -porse janë e do të jenë të ndryshme. Poeti i zbulon këto dukuri, gdhend fjalën dhe vargun, duke aspiruar për qëllimin moral e shpirtëror dhe mesazhin qytetar e filozofik, që i japin një ritëm të fortë poezisë për të mësuar kuptimin e jetës: “Hekurat i shkulnim, / e vetë përkuleshim nga pak…”
Në fillimet e botës, as poetët as vetë admiruesit e tyre, nuk ishin plotësisht të vetëdijshëm për përsosmërinë e poezisë, sepse ajo vepron në mënyrë origjinale dhe hyjnore. Por poezia vepron edhe në një tjetër mënyrë parashikuese dhe ne e shijojmë atë kolorit të pasur dhe konceptimin e vecantë të saj nëpërmjet vargjeve, rimave, metaforave të shprehura me dashuri, me ndjenjë, me dhimbje, me mall, dhe me nostalgji, kurse vetë poeti mbetet skllav i uni-t poetik, të këtij arti hyjnor. Poezia në pak rreshta, ose dhe vetëm me një varg, është pasqyra e një shpirti të trazuar, e cila i jep kuptim dhe e bën të bukur, vitale dhe të vetëdijshme edhe atë paksa imazh që është i turbullt dhe i paqartë:
“ Do të ishte e pamjaftueshme, / për të përballuar zemërimin, e flokëve të tu marinarë, / që më shpojnë mijra herë pa më vrarë, / pa më kursyer gjallë, / duke më lënë thjesht –bosh!”, – temperamente këto të emocioneve individuale, të gjalla e të paharrueshme.
Me një fuqi të pashembullt stigmatizuese dhe lirizëm pasionant, i guximshëm dhe tejet i sinqertë, për heroin lirik, -Sokoli Poet – kalon në delir erotik drejt tejdukshmërisë së papërmbajtur erotike dhe nostalgjinë elegjiake e dy të dashuruarve dhe e pasuron atë me imagjinata; “Mos u merakos e dashur, /nëse do të kemi uri, / gjokset tona do të hamë,/ njërin unë tjetrin ti.” Shprehjet lirike dhe erotike të Sokolit në këtë poezi, qëndrojnë të forta, goditëse, delikate, duke iu referuar dominimit të ekzistencës dhe njerëzores. I egzaltuar dhe tejet i sinqertë në ndjenjat dhe lirizmin pasionant të tij, poeti sfidon në marrëdhëniet njerëzore dhe bën kompromis me idealin e dashurisë, dhe lirinë e fituar e menaxhon mjeshtërisht dhe artistikisht atë: “Më vonë, / testet e mija dhe mitrën tënde, / e nëse sërish s’do të jemi ngopur, /kraharorët e njëri – tjetrit do të cajmë, / me dhëmbë, / Në grahmat e fundit, / do të kafshojmë, / zemrat”
Poeti shndërrohet në këndonjës jo vetëm i dashurisë por edhe vetmisë së vet dhe me vargje plot tinguj të ëmbël e të larmishëm: “Të dua! / S’kam ndërmend të ngre puthjepritës,/ mbi catinë pa mure,/ që kemi ngritur të dy,/ rri aty!/ Më kthe vetëm akrepat,/ që rrugën të gjej drejt… zjarrit.”, – tinguj që hymnizojne pastërtinë morale të ndjenjës së pastër dhe besnike të dashurisë, porse dalin nga shpirti melodioz i një muzikanti të padukshëm, i cili i ndjen, porse ende nuk e di nga c’shpirt dalin dhe pse. Sekreti i madh i moralit të poezisë është dashuria, e cila forcon interesin për natyrën njerëzore, lartëson shpirtin e lirë, intensifikon aspiratën drejt së mirës dhe së bukurës në gjithçka që na rrethon dhe identifikimin e vetvetes me të bukurën që ekziston. Dhe poezia është vetiu me origjinën e njeriut…
“Ne ecëm/ në monopatin/ e ngushtë/ pa kthim, /skelete zogjsh fluturonin, /mbi pupla të rëna gëmushave, / shpirtrat tanë shqyenin egërsirat.”
Me inteligjencë e grintë ironie, Sokoli penetron me teleskopin e tij poetik, frymëzim dhe imagjinatë që i japin kuptim jetës dhe realitetit të hidhur në dramën cinike, vuajtjes dhe sakrificave të mbarsura nga stereotipet e kontrasteve të mëdha, farsave sociale dhe fatet njerëzore. Kemi poezi lirike në dedikim të atdheut me tematika të vecanta me tendencën e vargut tradicional e bashkëkohor që nxit vetëdijen historike e njerëzore të brezit që jeton dhe atij brezi që i përket. Në libër ka poezi me ton qytetar, social dhe intelektual; “Dhjetor 1996”, “Sirtaret e shpirtit”, “Mes njerëzve humb”, “Fati im një frymëmarrje”, “Puset janë të zinj”, “Krishtlindjet”, etj, – ku shpaloset shpirti human, social, atdhetar, kombëtar dhe politik i poetit, mes të bukurës e së përditshmes njerëzore, nëpërmjet magjisë së artit, dhe forcës së fjalës artistike e filozofike.
Përherë intrigohem prej faktit secili do të jetë libri i rradhës për të lexuar. Dhe kësaj here ishte libri me poezi “unë dhe Unë”, i liderit të shquar demokrat, Poetit dhe Politikanit Shqiptar Sokol Olldashi.
Sokol Olldashi pati një jetë dhe karrierë aktive dhe elokuente si politikan, jurist dhe gazetar, i cili arriti të eksplorojë në thellësinë e shpirtit njerëzor që flet aq fort përtej historisë së demokracisë dhe politikës shqiptare. Dhe si gazetar e publicist, ai integroi elementët tradicionalë të gazetarisë dhe analizave sociale bashkëkohore dhe eksplorimit thellësisht të temave universale të demokracisë së brishtë shqiptare. Koha dhe historia e vlerëson Sokolin si një nga figurat kombëtare, historike dhe dominante të politikës dhe demokracisë shqiptare.
Virtyti i lirizmit të Sokolit Poet është mishërimi i bukurisë dhe emocionit lirik, origjinal, erotik, tradicional dhe bashkëkohor. Ai dëshironte që poezia e tij të përfshinte kompleksitetin e plotë të jetës, bukurinë dhe dhimbjen e saj, vdekjen dhe lindjen, por vetëm për aq sa imagjinata dhe individualiteti i poetit kishin akses të drejtpërdrejtë në përvojën ose mendimin dhe vetëm për aq sa ato meditime dhe frymëzime transformoheshin nga energjia e artikulimit artistik dhe filozofik bashkëkohor, që Sokoli imishëroi ato në gjuhën tingëlluese origjinale dhe universale të poezive të tij. Arritjet e tij të shkëlqyera retorike, të forcuara nga fuqitë e tij të konsiderueshme të ritmit dhe frazës poetike, kanë fituar vlerësime të gjera nga lexuesit, veçanërisht, nga miqtë e tij, kritika e kohës dhe poetët më në zë të letërsisë dhe poezisë shqiptare.
Si një politikan dhe si një poet lirik bashkëkohor, me principe thellësisht qytetare, intelektuale, demokratike dhe njerëzore, – Sokol Olldashi përçon emocione dhe mbresa të jashtëzakonshme, jep optimizëm e shpresë se ardhmja u përket brezave që vijnë, i përket jetës e dashurisë njerëzore.
Shembull i qytetarisë dhe inteligjencës, Sokol Olldashi politikan, jurist, publicist dhe poet lirik, në kujtesën e kombit do të mbetet e kujtohet si një nga figurat më të respektuara dhe të admiruara, -se çdo epokë mbart një emër!
Shkruar nga Raimonda Moisiu
Author Freelance journalist
Jacksonville Florida USA
Janar, 2024