Aktualitet Së shpejti FBI “zbarkon” në Durrës, hetuesit e BKH trajnim edhe nga...

Së shpejti FBI “zbarkon” në Durrës, hetuesit e BKH trajnim edhe nga antimafia italiane 

Grupi i parë i hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit ka nisur trajnimin në Itali. Drejtoresha e BKH-së, Aida Hajnaj dhe kreu i SPAK, Arben Kraja janë pritur nga drejtues të lartë të DIA-s, antimafias italiane që organizon këtë trajnim.

Gjithashtu edhe ambasada italiane ka publikuar këto foto, ku shpjegon se 27 hetuesit shqiptarë do të qëndrojnë për një javë atje dhe përpos trajnimit përspecifikat e hetimit, do të vizitojnë edhe disa ambiente, ku punojnë hetuesit italianë.

Ndërkaq, sapo 27 hetuesit e BKH-së të kthehen nga Italia, do të nisë edhe procesi i madh i trajnimit nga vetë FBI (Byroja Federale e Hetimit).

Mësohet se përgjatë një muaji ekspertët e FBI-së do të mbërrijnë në Durrës, ku do të trajnojnë për një muaj hetuesit shqiptarë të BKH-së. Pas këtij trajnimi, hetuesit e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit do të jenë gati për të nisur punën në gusht, nën drejtimin e prokurorëve të SPAK, ku priten edhe rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar,korrupsionit dhe veprave të tjera penale, për të cilat janë ngarkuar këto struktura të reja të drejtësisë.