Dëshmi dramatike për korrupsion të mundshëm, e zhvendosën hetimin ndaj presidentit Trump përtej hijes së seancave me dyer të mbyllura, dhe në sy të publikut.
Bill Taylor, diplomat i lartë amerikan në Ukrainë, deklaroi se zbuloi “një kombinim të çuditshëm të rrethanave inkurajuese, turbulluese dhe së fundmi alarmuese”.
Diplomati i tha Kongresit se presidenti Trump kishte shfrytëzuar ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe një vizitë në Shtëpinë e Bardhë për t’i bërë presion Kievit të hetonte Joe Biden dhe djalin e tij. “Mendoj se është çmenduri të bllokosh ndihmën për sigurinë për interesa zgjedhore”, vijoi Taylor.
Pasi Trump dhe homologu ukrainas biseduan në korrik, Taylor tha se presidenti kishte folur me ambasadorin amerikan në BE Gordon Sondland. Taylor dëshmoi se një prej bashkëpunëtorëve të tij e kishte pyetur Sondland se çfarë mendonte presidenti për Ukrainën, dh ese ambasadori ishte përgjigjur se “Trump ishte më i interesuar për hetimet ndaj Biden”.
George Kent, zyrtar i departamentit të shtetit i cili mbikëqyr politikat amerikane në Ukrainë foli për rolin e avokatit personal të Trump, Rudi Giuliani. “Gjatë 2018 e 2019 u bë plotësisht e qartë se Rudi Giuliani dhe bashkëpunëtorët e tij po drejtonin fushatën për njollosjen e atëherë ambasadores në Ukrainë Marie Yovanovitch dhe zyrtarëve të tjerë në Kiev”, deklaroi ai.
Demokratët duan t’i provojnë se presidenti Trump abuzoi me pushtetin. Sipas Adam Schiff, kryetarit të komisionit të inteligjencës, “pyetjet që ngrihen nga hetimet për impeachmet janë nëse presidenti Trump kërkoi të shfrytëzonte dobësinë e aleatit dhe nëse e shtyu Ukrainën të ndërhynte në zgjedhje”.
Për republikanët pretendimet janë të pabaza. Ata pohojnë se presidenti nuk bëri asgjë të keqe përderisa Ukraina nuk i nisi kurrë hetimet dhe i siguroi fondet ushtarake.