Ekonomi Sejko: Forcimi i lekut erdhi nga rritja e eksporteve, por mund të...

Sejko: Forcimi i lekut erdhi nga rritja e eksporteve, por mund të ketë ndikuar edhe ekonomia informale

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, raportoi sot në Komisionin për Ekonominë dhe Financat në lidhje me veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë vitin 2023.

Në fjalën e tij, Guvernatori theksoi se mbiçmimi i shpejtë i lekut në kursin e këmbimit ndihmoi në zbutjen e presioneve të huaja inflacioniste, ndërsa konsolidimi fiskal ndihmoi në frenimin e presioneve të brendshme.

Në veçanti, ai u ndal në një analizë të faktorëve që sollën forcimin e lekut dhe implikimet e këtij forcimi për stabilitetin monetar dhe financiar të vendit.

“Në mënyrë të përmbledhur, ato kanë konkluduar se trendi forcues i kursit të këmbimit të lekut ka ardhur si pasojë e përmirësimit strukturor të bilancit të shkëmbimeve tregtare dhe financiare të Shqipërisë me botën, të pasqyruara në rritjen e eksporteve, e kryesisht atyre të turizmit, të remitancave dhe të investimeve të huaja direkte. Në këto rrethana, forcimi i lekut pati një ndikim tërësor pozitiv në ekonomi. Ai kontribuoi në kontrollin e inflacionit, duke rritur fuqinë blerëse të familjeve shqiptare, si dhe mundësoi një normalizim më gradual të qëndrimit të politikës sonë monetare, duke mbajtur të ulëta kostot e financimit të bizneseve. Rrjedhimisht, Shqipëria pati njëkohësisht një nga normat më të larta të rritjes ekonomike, normën më të ulët të inflacionit dhe rritjen më të ngadaltë të kostove të financimit ndër vendet e rajonit”, tha Guvernatori.

Sidoqoftë, ai shtoi se ekonomia shqiptare ka qenë dhe mbetet një ekonomi me një nivel relativisht të lartë informaliteti. Ky fenomen ka pasojat e tij në shumë tregues ekonomikë të vendit, përfshi potencialisht edhe kursin e këmbimit.

“Banka e Shqipërisë ka marrë vazhdimisht masa për reduktimin e informalitetit, nëpërmjet përmirësimit të vazhdueshëm të sistemit të pagesave, nëpërmjet prezantimit të kërkesave rregullatore që mundësojnë dhënien e kredive vetëm kundrejt bilanceve të certifikuara fiskale të bizneseve, si dhe nëpërmjet zbatimit të të gjitha ndryshimeve të nevojshme mbikëqyrëse rregullatore, të cilat janë në fushën tonë të kompetencës, në kuadër të planit të masave për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftën ndaj terrorizmit. Megjithatë, adresimi i plotë i këtij problemi kërkon vëmendje të mëtejshme. Ndër të tjera, ai duhet të adresohet si përmes forcimit dhe koordinimit të punës së të gjitha agjencive ligjzbatuese, ashtu dhe përmes reformave të mëtejshme strukturore në mbështetje të formalizimit të ekonomisë”, shtoi Guvernatori.

Sipas tij, viti 2023 shënoi përmirësime edhe në ekuilibrat e brendshëm e të jashtëm të ekonomisë. Ai veçoi përmirësimin e pozicionit të huaj të vendit, të pasqyruar në një rënie të paprecedentë, prej pesë pikësh përqindjeje, të deficitit të llogarisë korrente të vendit. Ky deficit zbriti në nivelin 0.9% të PBB-së gjatë vitit 2023, duke shënuar një minimum historik të periudhës post-tranzicion. Po ashtu, borxhi i huaj i vendit zbriti poshtë nivelit 50% të PBB-së, ndërsa investimet e huaja direkte regjistruan një rekord historik prej 1.5 miliardë eurosh. Kjo ecuri u diktua nga ecuria e mirë e eksporteve shqiptare, të cilat u rritën me 1.7 miliardë euro gjatë vitit të shkuar, si dhe atraktiviteti i dyfishtë i Shqipërisë, si destinacion turistik dhe destinacion investimi. Paralelisht me to, niveli i rezervave valutore të Bankës së Shqipërisë regjistroi një rekord historik prej 5.8 miliardë eurosh, duke rritur ndjeshëm aftësinë paguese të vendit.

Gjithashtu, Sejko nënvizoi qëndrueshmërinë e sektorit bankar, të pasqyruar në përmirësimin e treguesve të kapitalizimit, të përfitueshmërisë, si dhe të cilësisë së portofolit të kredive, me treguesin e kredive me probleme në nivelin 4.8%. Këto trende pozitive i mundësojnë sektorit bankar të furnizojë ekonominë – me eficiencë dhe në vazhdimësi –  me fonde financiare dhe instrumente pagesash e kursimesh.

Në analizën e Bankës së Shqipërisë, normalizimi i qëndrimit të politikës monetare, që vijoi më i ngadaltë edhe gjatë vitit 2023, mundësoi reduktimin e inflacionit, pa dëmtuar trendin pozitiv të rritjes ekonomike.