Në mënyrë që rusët të realizojnë planin e tyre për të pushtuar Donbasin, qendrën industriale të Ukrainës, ata së pari do të duhet të pushtojnë Avdivkan, Izyumin dhe Kramatorskun, tre qytete të fortifikuara mirë nën kontrollin ukrainas, ku si ushtria ashtu edhe pjesa tjetër e popullsisë, janë të mësuar me luftën që nga viti 2014.
Nga Kharkiv në veri deri në Mariupol në jug, forcat ruse janë vendosur përgjatë frontit që shtrihet për më shumë se 400 kilometra, duke u përgatitur për të kapur Donbasin.
Pjesa më e madhe e asaj krahine të industrializuar përbëhet nga republikat e vetëshpallura separatiste pro-ruse të Donetskut dhe Luhanskut, dhe tani rusët duan të marrin pjesën tjetër. Sulmet më të forta pësuan qytetet Izjum dhe Kramatorsk, ku së fundmi u vranë të paktën 50 persona nga një bombë thërrmuese e hedhur në stacionin hekurudhor.
New York Times raporton nga Avdivka, një qytet 20 kilometra nga Donetsku, në rajonin e Donbasit. Banorët e Avdivkës janë në vijën e frontit që nga viti 2014, të mësuar me bombardime dhe të shtëna.
Por ofensiva e Rusisë në Donbas, e nisur këtë javë, kërcënon me shkatërrim shumë më intensiv, me forca të armatosura rëndë që mblidhen jashtë qytetit. Këtu, luftëtarët ukrainas kanë gërmuan thellë, në llogore të ngjashme me ato të Luftës së Parë Botërore, shkruan NYT.
Avdivka nuk është më vetëm një qytet në vijën e parë të konfliktit me separatistët, por tani është një pengesë e rëndësishme për qëllimet ushtarake të Moskës, drejtpërdrejt në rrugën e forcave ruse. Nëse Avdivka dhe qytete si ajo do të zmbrapsin sulmin rus, varet nëse Moska do të fitojë në fazën e dytë të luftës, pas disfatës në veri dhe braktisjes së pushtimit të Kievit.
Bombardimet ndaj Avdivkës u intensifikuan, por ofensiva e vërtetë ende nuk ka filluar. Në qytet nuk ka ngrohje dhe ujë të rrjedhshëm, energjia elektrike në rastin më të mirë është me tension të ulët.
Vetëm rreth 6,000 nga 30,000 banorët e paraluftës kanë mbetur, dhe rreth 2,000 prej tyre jetojnë rregullisht në 60 strehimore, tha Vitaly Barabash, kreu i administratës ushtarake të Avdivka.
Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, bombat ruse kanë goditur 800 shtëpi.
“Ata nuk mund të kalojnë nëpër linjat e para të fushës së betejës, kështu që thjesht fillojnë të shkatërrojnë qytetin,” thotë Barabash.
Spitali kryesor në Avdivka ishte i saporinovuar, por kur u vizitua nga gazetarët e New York Times, nuk kishte energji elektrike, ndërsa burimi i ujit të pijshëm ishte një sternë e madhe blu në holl. Në spital kanë mbetur 40 punonjës.
Kirurgu i vetëm është Mikhail Orlov, i cili jeton atje.
“Nëse shkoj në shtëpi, mund të mos jem në gjendje të kthehem”, thotë Dr. Orlov. Në spital fle edhe drejtori Vitalij Sitnik. Ai thotë se do të kishte shumë të plagosur nëse banorët nuk do të ishin mësuar të kalonin pjesën më të madhe të kohës në bodrume.