Policia e Elbasanit ka sekuestruar rreth 22 kilogramë kanabis si dhe 2 armë gjahu e municion luftarak në një operacion të kryer së fundmi.
Uniformat blu thonë se janë vënë pranga 3 persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
“Në kuadër të këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit S. M., 59 vjeç, Y. B., 47 vjeç dhe F. B., 35 vjeç, të tre banues në Fier, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe u shpall në kërkim shtetasi N. M., 33 vjeç, banues në fshatin Panaja, Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” , “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”. Vijon puna për kapjen e 33-vjeçarit”, njoftoi policia.
Droga dhe armët u gjetën në banesën e 33-vjeçarit gjatë një kontrolli të policisë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.