Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe trafikimit të minave me telekomandë, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative se 2 shtetas po tentonin të trafikonin mina me shpërthim në distancë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Distanca”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
Agron Gurakuqi, 46 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Ndërtim pa leje”;
Bledian Gresa, 35 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje“.
Gjatë kontrollit fizik, Agron Gurakuqit shërbimet e Policisë i kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 4 mina me telekomandë, të cilat këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, do i shisnin me çmimin 2000 deri në 3000 euro.
Po gjatë operacionit, në banesën e Bledian Gresa shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi të vogël lënde narkotike cannabis sativa.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për evidentimin dhe kapjen edhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.