Aktualitet Sekuestrohen 45 kilogramë kokainë në Portin e Durrësit

Sekuestrohen 45 kilogramë kokainë në Portin e Durrësit

Kokaina e sekuestruar

Një sasi e konsiderueshme kokaine është sekuestruar në Portin e Durrësit nga Policia Kriminale e Durrësit, Policia Kufitare dhe autoritetet doganore.

Gjatë operacionit të koduar “Tranziti” u sekuestrua sasi prej 45 kilogramë e 500 gramë kokainë.

Lënda narkotike ishte fshehur brenda një konteineri të ngarkuar me mish pule dhe që ishte nisur tranzit nga Brazili. Destinacioni i konteinerit ishte Maqedonia e Veriut, për llogari të një subjekti tregtar që kishte bërë porosinë.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në konteiner, në brendësi të ngarkesës me mish pule u gjetën 40 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë 45 kg e 500 gramë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në të.