Dy persona, babë e bir janë arrestuar nga policia në Elbasan për kultivim të lëndëve narkotike. Policia tha se në kuadër të operacionit të koduar Bodin janë vënë në pranga shtetasit S. B., 62 vjeç, banues në fshatin Bodin, dhe Z. B., 27 vjeç, banues në Sarandë (babë e bir).
Nga kontrolli i ushtruar në tokën e këtyre shtetasve, në fshatin Bodin, Gracen, Elbasan, janë gjetur dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 17 bimë të prera, të dyshuara narkotike kanabis. Gjithashtu, gjatë kontrollit janë gjetur dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 7 thasë të mbushur me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale rreth 58 kilogramë.
Njëkohësisht, u arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”, shtetasit: F. S., 58 vjeç, banues në Elbasan, administratori i Njësisë Administrative Gracen, Elbasan; R. B., 62 vjeç, kryeplaku i fshatit Bodin, Gracen, Elbasan.