Gjykata e Vlorës i ka sekuestruar gjashtë apartamente dhe një dyqan Viktor Shorajt, i dënuar më herët në Itali për 4 vepra penale.
Nga hetimet rezultoi se pasuritë e blera dhe më pas të regjistruara në emër të Viktor Shorajt dhe familjarëve e tij, nuk justifikohen me të ardhurat e ligjshme të realizuara prej tyre.
Shoraj është dënuar me vendim të formës së prerë nga ana e autoriteteve italiane të drejtësisë, (Gjykata e Venecias; Gjykata e Ankonës; Gjykata e Apelit Romë; etj), për veprat penale të “Mbajtje e paligjshme e lëndëve narkotike”; “Shtrëngim për dhënie pasurie”; “Mbajtje pa leje e armëve”; “Transport dhe mbajtje e lëndëve narkotike në bashkëpunim”. Këto vepra penale ai i ka kryer përgjatë viteve 2000-2007.
Pasuritë e sekuestruara:
– Pasurinë e llojit Apartament Nr.1/3 (2+1), në katin e parë banim, sip ndërtimi 118,125m2, në Rrugën “Sul Bega”, “Objekti Riza Cerova”, në pronësi të shtetases M. M.;
– Apartament Nr 7/3 (2+1), në katin e shtatë banim, me sip. 109,03 m2, në Rrugën “Sul Bega”, “Objekti Riza Cerova”, në pronësi të shtetases M. M.;
– Apartament me Nr 7/1 (1+1), ne katin e shtatë banim, me sip 80.7 m2, në Rrugën “Sul Bega”, “Objekti Riza Cerova, në pronësi të shtetases M.M.;
– Apartament me Nr 6/1 (2+1), në katin e gjashtë banim, me sip. ndërtimi 110,36m2, në Rrugën “Sul Bega”, “Objekti Riza Cerova”, në pronësi të shtetases M. M.
Pasuritë e mësipërme janë blerë nga ana e Shorajt sipas kontratës së sipërmarrjes për çmimin total 300.000 Euro, shumë e cila rezulton se është likuiduar tërësisht jashtë zyrës noteriale.
– Njësia dyqan me sip. ndërtimi 122m2 dhe 2(dy) poste parkimesh (Nr.13 dhe 14) në Rrugën “Tefta Tashko Koço”, Bashkia Tiranë, në pronësi të shtetases M.M., të blera më parë nga ana e shtetasit V. Sh., me kontratë për shumën prej 100.000 eurosh;
– Pasuria nr.70/3 +2-103, ZK 2832 Orikum Vlorë, apartament me sip 52.27 m2, blerë sipas kontratës së shitjes për vlerën e 22.000 Euro. Shuma e likujduar tërësisht jashtë zyrës noteriale; dhe
– Pasuria nr.70/3 +2-111, ZK 2832 Orikum Vlorë, apartament me sip 54.50 m2, blerë blerë sipas kontratës për vlerën e 28.000 Euro.