Policia Kufitare ka goditur dy raste të modeklarimit të të hollave, në hyrje dhe në dalje të Shqipërisë. Një 33-vjeçar nga Elbasani, i cili hyri në Rinas është proceduar penalisht pasi kishte fshehur në trup mbi 21 mijë paund, me qëllim që të mos i deklaronte.
Ndërsa në dalje të Shqipërisë, është proceduar penalisht një 47-vjeçar malazez, të cilit i janë gjetur mbi 10 mijë franga zvicerane në çantën e dorës, të padeklaruara.
Njoftimi i Policisë
Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në kuadër të planit operacional policor të koduar “Action”, pjesë e të cilët janë edhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, FRONTEX dhe programi “EU4FOCAL”, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, kanë shtuar kontrollet për evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.
Në hyrje të Republikës së Shqipërisë, u kalua në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, shtetasi V. K., 33 vjeç, banues në Elbasan. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi i është gjetur një brez i improvizuar, në të cilën kishte fshehur 21 790 paund, me qëllim që të mos i deklaronte.
Gjithashtu, në dalje të Republikës së Shqipërisë, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, shtetasi malazez V. K., 47 vjeç, të cilit, në çantën e dorës, i janë gjetur 10 000 franga dhe 800 euro, të cilat nuk i kishte deklaruar sipas përcaktimeve ligjore.
Në vijim të veprimeve, shumat e parave u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale ”Mosdeklarimi në kufi i të hollave ose i sendeve me vlere”, për secilin nga këta 2 shtetas.