Mbi 41 kilogramë heroinë janë sekuestruar nga Policia e Tiranës. Uniformat blu kanë njoftuar se si pasojë e këtij operacioni kanë vënë në pranga 31-vjeçarin Armando Papa, banues në Fushë Kuqe.
Po ashtu është shpallur në kërkim një person tjetër, bashkëpunëtor i Papës. Bëhet fjalë për një person me iniciale R.G., banues në Sukth. Droga u gjet në bagazhin e makinës tip “Benz” ku udhëtonte Papa.
“Gjatë kontrollit në automjetin tip “Benz”, u gjet në bagazh një kuti me 62 pako brenda së cilave kishte 41 kg e 700 gram lëndë të dyshuar narkotike heroinë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin dhe 1 mjet prerës”, njoftoi policia.
Policia thotë se ka pasur informacione të marra në rrugë operative dhe janë vënë në ndjekje të mjetit sapo e kanë lokalizuar atë. Ndjekja ka përfunduar në afërsi të rrethrrotullimit të aeroportit ku u bë ndalimi i “Benzit” në fjalë dhe sekuestrimi i sasisë së konsiderueshme të heroinës.
“Nga specialistët për hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale“, njoftoi policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.
Operacioni i policisë u kodua “Fusha e kuqe”.