Një operacion i policisë ka çuar në arrestimin e një 51-vjeçari, shtetasi L. N., banues në Fushë Milot, i cili tentoi të fuste ilegalisht në Shqipëri shumën e konsiderueshme prej 680,595 eurosh. Operacioni i koduar “Burimi” u zhvillua nga Policia Kufitare e PKK Muriqan në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.
Gjatë kontrolleve të detajuara në vijë të dytë, u zbuluan dy hapësira të modifikuara në dyert e pasme të automjetit tip “Benz”, ku ishin fshehur paratë. Shuma u sekuestrua bashkë me automjetin dhe dy celularë.
Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar burimin e parave dhe motivet e futjes së tyre ilegale. Materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme.