Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Korçë, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Remote”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. B., banues në Korçë.
Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se një shtetas do të tentonte të shiste mina me telekomandë, u organizuan shërbimet, u bë i mundur lokalizimi i personit dhe kapja e tij në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë vendit të quajtur Qafë-Plloçë. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga forcat e policisë shtetasit I. B., iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 mina me telekomandë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.