Një shumë e konsiderueshme parash dhe një automjet që dyshohet i vjedhur, janë sekuestruar në doganën e Kakavijës nga Policia Kufitare në bashkëpunim me forcat e Frontex.
Konkretisht, në dalje nga vendi ynë u bllokua një makinë tip Renault që drejtohej nga 21-vjeçari me iniciale E.X. nga Berati dhe banues në Greqi. Në këtë makinë, u konstatua se kishte ndërhyrje mekanike në numrin e shasisë.
Në një rast të dytë, autoritetet kufitare bllokuan 70.900 Euro të fshehura në automjetin e 49-vjeçarit me iniciale V.G. nga Saranda dhe që banon në Greqi. Shuma e parave ishte fshehur me qëllim shmangien e kontrollit, thotë policia.
Materialet hetimore për këto dy raste i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për trafik të mjeteve motorike dhe mosdeklarim i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi.