Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet e përbashkëta me britanikët për rrjetin e trafikut të 4000 kartave SIM të sekuestruara në Rinas. Këto karta sipas hetuesve dyshohet se do përdoreshin për komunikimet e grupeve kriminale.
Ato janë blerë në Angli dhe kanë ardhur në vendin tonë me poste 10 ditë më parë. Shqiptari në emër të cilit ishin porositur kartat M. Hasa ka mohuar të ketë dijeni për kartat në emër të tij.
“Njësia “C” për Hetimin e Krimit Kompjuterik, më datë 09.06.2022, ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit M. H., për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Shitja e paautorizuar e kartave SIM”, pasi në adresë të këtij shtetasi, ka ardhur me postë, në Rinas, një pako postare me 3991 karta SIM angleze”, thuhet në një njoftim.
Kartat pas gjurmës në skaner si pako e dyshimtë janë kontrolluar fizikisht nga Policia e Rinasit.
Kartat janë aktive me PIN e PUK çka ka bërë që policia të vihet në lëvizje pasi duke u shitur në treg të zi, mund të përdoren për shpërthime të bombave me celular, shantazheve, mesazheve në aplikacionet e koduara dhe thirrjeve nëpërmjet “data use”.