Policia e Fierit ka finalizuar operacionin “Çlirimi”, duke vënë në pranga 3 persona “me rrezikshmëri të lartë shoqërore”, ndërsa janë sekuestruar 2 armë zjarri, municion luftarak, 2 armë të ftohta dhe 1 makinë e blinduar.
Policia bën të ditur se gjatë kontrollit të ushtruar nga strukturat e DVP Fier, në fshatin Çlirim, Fier, në mjetin e blinduar “Audi A8”, i cili drejtohej nga shtetasi R. L., poshtë sediljes së parë të pasagjerit, ku ishte ulur shtetasi Sh. K., u gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri tip pistoletë dhe 2 krehëra me 24 fishekë. Gjatë kontrollit personal, shtetasit R. L. iu gjet dhe sekuestrua një mjet prerës (thikë), që e kishte në çantën e dorës.
Gjithashtu, gjatë kontrollit personal të ushtruar ndaj shtetasit A. B., u gjet dhe u sekuestrua një mjet prerës (thikë). U sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 pistoleta, 2 krehëra me 24 fishekë, 2 mjetet prerëse dhe automjeti i blinduar Audi A8.