Një apartament është sekuestruar në Tiranë nga policia me vendim gjykate pasi dyshohet se është blerë me të ardhura nga aktiviteti kriminal.
Konkretisht, apartamenti ndaj të cilit është vendosur sekuestro preventive ka një vlerë prej 270 mijë euro.
Apartamenti është në pronësi të Marsel Korreshi 32 vjeç nga Lushnja. Ai ka qenë i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Nga veprimet hetimore rezulton se pasuria e 32-vjeçarit ka si burim veprimtari kriminale.
Vijojnë hetimet dhe verifikimet për evidentimin e pasurive të tjera që mund të jenë në emër të këtij shtetasi dhe të personave të lidhur me të.