Aktualitet Sekuestrohet makina e Ilda Bejleri, policia flet aksidentin: Dy akuzat e ngritura...

Sekuestrohet makina e Ilda Bejleri, policia flet aksidentin: Dy akuzat e ngritura për moderatoren

Policia e Tiranës ka dhënë detaje të reja nga aksidenti i të mërkurës në drekë në Bulevardin “Gjergj Fishta”, ku gazetarja Ilda Bejleri ka aksidentuar një grua dhe është larguar nga vendi i aksidentit.

Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se është sekuestruar makina e gazetares dhe ajo tani do të hetohet në gjendje të lirë nga prokuroria për dy akuza.

REAGIMI I POLICISE

Informacion përfundimtar në lidhje me aksidentin e ndodhur mesditën e djeshme në Bulevardin “Gjergj Fishta”, Tiranë.

Në vijim të informacionit të dhënë në lidhje me aksidentin e ndodhur në Bulevardin “Gjergj Fishta”, më datë 12.02.2020, ku ka mbetur e dëmtuar shtetasja me iniciale E. Gj, 63 vjeçe, ju informojmë se:

Në vijim të veprimeve hetimore, në orët e mbrëmjes grupi hetimor ka shoqëruar dhe intervistuar në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, shtetasen me iniciale I. B., 33 vjeçe.

Policia Rrugore e Tiranës, krahas veprimeve të tjera hetimore, me qëllim sqarimin e rrethanave, në funksion të dokumentimit të plotë të aksidentit rrugor, si pasojë e të cilit ka mbetur e dëmtuar këmbësorja E. GJ., ka sekuestruar ne cilësinë e provës materiale automjetin në pronësi të shtetases I. B., me qëllim këqyrjen dhe kryerjen e ekspertimeve të nevojshme autoteknike.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetases I. B, si e dyshuar për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Reagimi i Ilda Bejlerit

Gazetarja Ilda Bejleri ka reaguar dje pas aksidentit të ndodhur në bulevardin “Gjergj Fishta”.

Në një postim në Instastory, ku tregon se ndodhet në shtëpinë e saj duke parë televizor, Ilda, pasi fillimisht mohoi ngjarjen dhe shkroi se mediat shpifin, pranoi se është shoqëruar në Polici për sqarimin e ngjarjes.

“Për fatin të mirë timin, kamerat janë hapur në polici dhe është vërtetuar që makina ime ka qenë e ndaluar në momentin që zonja është rrëzuar në nxitim e sipër për të kaluar rrugën edhe pse semafori jeshil ishte i hapur për makinat. Kush ka ndonjë dyshim të shkojë të shohë videon në polici. Unë pyeta për zonjën në momentin e parë por më pas duke qenë se makina ime në momentin e rrëzimit nuk ishte në ecje e sipër nuk ndjeva që kisha bërë diçka për t’u ndjerë fajtore. Të gjitha makinat e tjera u larguan por unë qëndrova pak. Por nuk ndjeva asnjë detyrim që të qëndroja më shumë së nuk mbaj përgjegjësi për njerëzit që rrëzohen në rrugë. Zonja për fat të mirë është shëndoshë e mirë”, shkruante Ilda Bejleri.