Senati i SHBA-së ka miratuar një projektligj historik të diskutueshëm që mund të ndalojë përdorimin e aplikacionit TikTok në Amerikë, sipas BBC.
Sipas projektligjit, pronari kinez i TikTok, “ByteDance”, ka nëntë muaj kohë për të shitur aksionet e tij ose aplikacioni do të bllokohet në SHBA.
Projektligji tani do t’i dorëzohet presidentit amerikan Joe Biden, i cili ka thënë se do ta nënshkruajë atë sapo t’i dorëzohet.
TikTok tha se nuk kishte një përgjigje të menjëhershme për këtë veprim.
Më herët, “Bytedance” tha se do të kundërshtonte çdo përpjekje për ta detyruar atë të shiste TikTok-un.
Nëse SHBA-ja do ia dilte të detyronte “ByteDance” të shiste TikTok-un, çdo marrëveshje do të kishte ende nevojë për miratim nga zyrtarët kinezë, por Pekini është zotuar të kundërshtojë çdo lëvizje të tillë. Analistët thanë se procesi mund të zgjasë me vite.
Masa u miratua si pjesë e një pakete prej katër projektligjesh që përfshinin gjithashtu ndihmën ushtarake për Ukrainën, Izraelin, Tajvanin dhe partnerët e tjerë të SHBA-së në rajonin Indo-Paqësor.
Ajo pati një mbështetje të gjerë nga ligjvënësit, ku 79 senatorë votuan pro dhe 18 kundër.
“Për vite me radhë ne kemi lejuar partinë komuniste kineze të kontrollojë një nga aplikacionet më të njohura në Amerikë, që ishte jashtëzakonisht dritëshkurtër”, tha senatori Marco Rubio, republikani më i lartë në Komitetin e Shërbimeve Sekrete.
“Ligji i ri do t’i kërkojë pronarit të tij kinez të shesë aplikacionin. Ky është një veprim i mirë për Amerikën”, shtoi ai.
Frika se të dhënat e miliona amerikanëve mund të bien në duart e Kinës kanë nxitur përpjekjet e Kongresit për të ndarë TikTok-un nga kompania me qendër në Pekin.