Senati italian ka ratifikuar me 93 vota pro dhe 61 kundër nga 155 senatorë të pranishëm protokollin për dërgimin në Shqipëri të rreth 3 mijë azilkërkuesve nga Afrika, Azia apo Lindja e Mesme që shpëtohen në det. Mazhoranca e kryeministres Meloni ka hedhur poshtë amendamentet e opozitës se majtë.
Me votën e Senatit nis nga zbatimi plani për ardhjen e refugjatëve në vendin tonë në dy qendrat në portin e Shëngjinit dhe në Gjadër.
Më 24 Janar Dhoma e Deputetëve e miratoi këtë protokoll me shumicë votash.
Në Parlamentin shqiptar ky protokoll ende nuk është miratuar edhe pse Gjykata Kushtetuese më datë 29 Janar i hapi dritën jeshile ratifikimit.
Gjykata Kushtetuese e konsideroi Protokollin për Migracionin në pajtim me Kushtetutën sepse nuk ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë.
Protokolli për Migracionin me Italinë u nënshkrua mes Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministres Giorgia Meloni më 6 Nëntor 2023.
Për sa i përket kostove të lidhura, projektligji parashikon që pala italiane, brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, krediton 16.5 milionë Euro si paradhënie të një shume të madhe të rimbursimeve që lidhen me vitin e parë të aplikimit.
Më pas, pala shqiptare do t’i komunikojë palës italiane shumën e shpenzimeve të kryera. Në mënyrë të veçantë, ligji autorizon shpenzime për vitin 2024 që synojnë krijimin e strukturave dhe pajisjeve instrumentale të nevojshme, që arrijnë në rreth 47.7 milionë Euro. Është krijuar një fond prej 89.1 milionë Euro për këtë vit dhe 118.5 milionë Euro për secilin nga vitet 2025-2028.