Senatori republikan amerikan, Kevin Cramer ka deklaruar se qeveria saudite i ka hapur luftë SHBA-së në çështjen e naftës dhe i kërkoi presidentit Donald Trump që të tërheqë ushtarët amerikanë dhe sistemet e mbrojtjes ajrore ‘Patriot’ nga Arabia Saudite.
Në një intervistë për radion amerikane NPR, senatori Cramer foli për tensionet e përjetuara mes SHBA-së dhe Arabisë Saudite lidhur me çështjen e naftës.
Cramer tha se ”kompanitë amerikane kanë hyrë në një proces të vështirë për shkak të uljes së kërkesës nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19). Ne po sigurojmë një qasje kaq të lehtë në tregjet amerikane për Arabinë Saudite e cila ka pjesë në problemin e madh të kërkesës (furnizimit) që përjetohet”.
Duke deklaruar se i bashkohet mendimit për zbatimin e taksës doganore ndaj naftës bruto që Arabia Saudite i dërgon SHBA-së, Cramer vuri në dukje se nga presidenti Trump ka kërkuar tërheqjen e ushtarëve amerikanë dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot në Arabinë Saudite
“Përse duhet të mbajmë atje raketat e mbrojtjes ajrore dhe 2.500 ushtarët tanë që i rrezikojmë për mbrojtjen e naftës saudite, ndërkohë që Arabia Saudite i ka hapur luftë naftës tonë?”, deklaroi Cramer.
Edhe më parë 48 deputetë republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA i dërguan një letër princit të Arabisë Saudite, Mohamed bin Salman dhe i kërkuan atij të ndalë Arabinë Saudite që ajo të dëmtojë tregjet e naftës bruto globale si dhe të ndërmarrë veprime për të siguruar stabilitetin.
Me një gjuhë të ashpër, senatorët kritikuan qëndrimin e këtij vendi lidhur me prodhimin e naftës bruto dhe gjithashtu vunë në dukje se marrëdhëniet SHBA-Arabi Saudite do të tensionohen nëse administrata saudite nuk ndërmerr hapat që priten në tregjet e naftës.