Nga Enver Robelli
Një studim i ri i prof. dr. Oliver Jens Schmitt shpluhuron disa mite të historisë serbe. Sipas Schmitt, serbët u kanë dhënë osmanëve ndihmë vendimtare për ta pushtuar Ballkanin
Në kulturën serbe të kujtesës s’ka vend për dilema: serbët, sipas këtij rrëfimi të etabluar, më 1389 mbrojtën krishterimin në Betejën e Fushë-Kosovës kundër osmanëve. Në një studim të ri të botuar së fundi në “Zeitschrift für Balkanologie” (Revista për Ballkanologji) profesori i historisë në Universitetin e Vjenës, Oliver Jens Schmitt, shpluhuron disa mite të historisë serbe dhe arrin në përfundimin se elitat serbe pas vitit 1389 u kanë dhënë osmanëve ndihmë vendimtare për ta zaptuar Ballkanin. Një përmbledhje të studimit të tij Schmitt e ka botuar të hënën në gazetën austriake “Der Standard”.
Sipas Schmitt, një shikim i burimeve dhe librave të historisë mjafton për të konstatuar se në të gjitha çastet vendimtare të historisë osmane nga viti 1389 deri më 1459, kur u zhduk despotati (principata) serbe, shtresa aristokrate serbe ua mbajti anën osmanëve dhe intervenoi kundër kundërshtarëve të krishterë të osmanëve. Më 1395 princi ortodoks i Vllahisë Mirçea (Plaku) u përball me Sulltanin osman, Bajazitin I. Fitorja osmane u bë e mundshme nga aristokratët serbë, të cilët i shërbenin ushtrisë osmane si vasalë, mes tyre sidomos Marko Kraleviqi. Në kujtesën serbe Kraleviqi është hero i luftës kundër osmanëve, në realitetin historik ai luftoi dha ra për palën tjetër, për osmanët, shkruan Schmitt.
Një vit më vonë, më 1396, Mbreti hungarez, Sigismundi i Luksemburgut, mblodhi aristokratë nga mbarë Europa për të depërtuar në zemrën e Perandorisë Osmane, në Bullgarinë e sotme. Qëllimi ishte të dëboheshin osmanët. Në Betejën e Nikopolit në Danub forcat serbe të prira nga Stefan Llazareviqi, i biri i Princit Llazar të vrarë shtatë vjet më parë, ndikuan që të fitojnë trupat osmane. Të krishterët u mposhtën, aristokratët e pasur u burgosën dhe shumë familje aristokrate franceze falimentuan duke i paguar Sulltanit para për pengje, nënvizon Schmitt.
Edhe më 1402 sundimtari mongol Timur Lenk marshoi në Anadoll. Afër Ankarasë ai u përball me Sulltanin osman, Bajazitin I. Ushtria osmane u shpërbë pasi vasalët turko-myslimanë të Sulltanit kaluan në anën e mongolëve dhe princërit osmanë dezertuan. I vetmi që deri në fund luftoi kundër mongolëve ishte Stefan Llazareviqi dhe trupat e tij. Më 1430 osmanët sulmuan Selanikun, krahas Kostandinopojës, qyteti më i rëndësishëm i Ballkanit. Pjesëmarrës vendimtarë ishin ushtarët serbë nën udhëheqjen e Grgur Brankoviqit. Kur më 1453 Sulltan Mehmeti rrethoi Stambollin dhe më 29 maj e pushtoi, trupat serbe ishin pjesë e ushtrisë osmane dhe jo në anën e bizantinëve ortodoksë.
Në studimin e tij Schmitt shpjegon arsyen pse serbët përkrahën osmanët në pushtimin e Ballkanit. Pas humbjes në Betejën e Fushë-Kosovës, aristokratët serbë u bënë vasalë të osmanëve, sidomos dinastitë e Llazareviqëve dhe Brankoviqëve. Rol qendror luanin martesat mes dinastive. Olivera Llazareviq u martua me Sulltan Bajazitin I dhe Mara Brankoviq me Sulltan Muratin II (1422-1451). Bashkë me këto dama në oborrin e Sulltanit erdhën edhe serbë të tjerë. Kronikat osmane e përshkruajnë Oliverën si “femme fatale”, e cila kishte futur në përdorim pirjen e alkoolit në oborrin e Sulltanit dhe kësisoj kishte trandur traditat e vjetra të Sulltanëve. Pas vdekjes së burrit të saj, Mara Brankoviq u shpërngul në Maqedoninë jugore dhe me vite të tëra mbajti në duar penjtë e diplomacisë së fshehtë drejt Perëndimit, sidomos Venedikut. Në oborrin osman u krijua një elitë serbe dhe deri në shekullin e 16-të serbishtja ishte shumë e përhapur aty.
Giorgo Sfranze, këshilltar i Perandorit të fundit bizantin, Konstantinit XI, dhe dëshmitar i fundosjes së Bizantit, gjatë qëndrimit në ekzil në Korfuz formuloi akuzën më të ashpër ndaj serbëve, shkruan Schmitt.
“Nga territoret e ndryshme Serbia ka mundur të dërgojë fshehurazi para dhe burra. A ka parë ndokush para? Vërtet ata dërguan para dhe shumë burra, por ata ia dërguan emirit (mendohet Mehmetit II), i cili ishte duke e rrethuar qytetin (Kostandinopojën). Dhe turqit gëzoheshin dhe thoshin: pa shihni, edhe serbët janë kundër jush”, kishte shkruar Giorgo Sfranze. Thellë i dëshpëruar ky bizantin kujtonte rolin serb në rënien e Kostandinopojës, ku duke luftuar ra Konstantini XI. Elitat serbe nuk ushtronin solidaritet ortodoks, nënvizon Schmitt./Koha.net