Lista Serbe ka marrë vendim që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës. Vendimi është marrë pas një takimi që është zhvilluar mesditën e së shtunës në Zveçan.
Ky takim ka ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për pezullimin nga puna të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në Republikën e Kosovës.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, tha kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq pas takimit, citon REL.
Dy eprorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun kanë zhveshur uniformën, si akt i parë i largimit nga institucionet. Në këtë takim, u tha se ky vendim vlen deri në një njoftim, siç e quajtën ata, të arsyeshëm të Prishtinës për të respektuar marrëveshjet e Brukselit.
Ndërkohë, në Beograd, qeveria serbe zhvilloi një mbledhje me dyer të mbyllura, për të diskutuar rreth situatës në Kosovë. Pas përfundimit, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka shfrytëzuar llogarinë e tij në Instagram për të thënë se nuk heq dorë nga politika e përgjegjshme e paqes dhe stabilitetit. “Faleminderit për ftesën dhe që më dhatë mundësinë t’ju informoj për situatën në të cilën gjendet Serbia. Ne nuk heqim dorë nga politika e përgjegjshme e paqes dhe stabilitetit”, shkroi Vuçiç.