Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po zhvillon një vizitë zyrtare në Kroaci, ku u prit me nderimet më të larta shtetërore.
Pas takimit me homologun, Zoran Milanoviç, ajo kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar që ta ndëshkojë Serbinë për sulmin e 24 shtatorit, pasi në të kundërt, Beogradi nuk do të ndalojë agresionet.
“Nëse s’ndërmerren masa nga komuniteti euroatlantik, Serbia do të ndihej më e fuqishme dhe më e inkurajuar nga mosndëshkimi”, u shpreh Osmani.
Presidentja e Kosovës, mes tjerash, falenderoi Kroacinë për mbështetjen e vazhdueshme.
Ndërsa presidenti Zoran Milanoviç, foli për sulmin e fundit në veri duke kërkuar disa përgjigje nga Serbia për atë që ndodhi në Banjskë të Kosovës. Ai nënvizoi se në bazën serbe ku pretendohet se janë stërvitur autorët e sulmit të 24 shtatorit duhet leje e posaçme për të hyrë aty.
Kroacia është zëri më i fortë ballkanik në mbrojtje të Kosovës, pa asnjë fërkim historik me faktorin shqiptar në Ballkan.
Kroacia, ashtu si Kosova, ka përplasje historike me Serbinë.