“Squid Game”, seriali më i dashur koreano-jugor që theu rekorde shikueshmërie me sezonin e parë do të rikthehet në ekranin e Netflix pas tre vitesh pritje.
Platforma televizive ka njoftuar se menjëherë pas Krishtlindjes, më 26 dhjetor, të gjithë do të duhet të mblidhen pas ekranit për të ndjekur sezonin e dytë të “Squid Game”, ndërsa sezoni i tretë dhe i fundit do të publikohet në vitin 2025.
“Tre vjet pas fitores në Squid Game, Lojtari 456 mbetet i vendosur të gjejë personat pas lojës dhe t’i japë fund këtij sporti të egër. Duke përdorur pasurinë e tij për të financuar kërkimin e tij, Gi-hun fillon me vendin më të dukshëm: të kërkojë njeriun me kostum të mprehtë që luan ddakji në metro. Por kur përpjekjet e tij më në fund japin rezultate, rruga drejt shkatërrimit të organizatës del të jetë më vdekjeprurëse se sa ai e kishte imagjinuar: për të përfunduar lojën, ai duhet të ri-hyjë në të”, thuhet në përshkrimin për serialin në Netflix.
“Squid Game” renditet aktualisht si seriali më i shikuar në historinë e Netflix, pasi 9 episodet e para fiksuan miliona njerëz pas ekranit në debutim.
Seriali i krijuar nga regjisori Hwang Dong-hyuk dhe që ndërtohet mbi një grup konkurrentësh të mbushur me borxhe që luftojnë deri në vdekje për një shumë parash që ndryshon jetën u bë drama e parë në gjuhë jo-angleze që u nominua në disa kategori të mëdha në “Emmy Awards”.
Aktori kryesor i serialit, Lee Jung-jae, u bë po ashtu koreani i parë që fitoi çmimin për “Aktorin më të Mirë”.