Edhe përpara se filmi i suksesshëm “The Queen’s Gambit” të transmetohej në Netflix, pandemia kishte ngjallur më shumë interes në lojën e shahut. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Elena Wolf, bisedoi për lojën e shahut me mjeshtrin rus Garry Kasparov.
Çdo sekondë e gjysmë dikush në Amerikë hulumton në Google se si luhet shahu. Portali në internet Chess.com ka regjistruar 28 milionë lojtarë dhe Amazon po u kërkon falje klientëve sepse shumë kuti shahu të porositura në internet nuk do të jenë në dispozicion në kohë për Krishtlindje.
Rritja meteorike e popullaritetit të kësaj loje ka të bëjë shumë me popullaritetin e “The Queen’s Gambit”, një filmi i suksesshëm i prodhuar nga Netflix në lidhje me suksesin e një vajze gjeni në lojën e shahut.
“Është një shfaqje mahnitëse, ishte super argëtuese! Kjo është ajo që më tërhoqi drejt kësaj loje, sepse sapo e pamë filmin mbrëmë!”, thotë Victoria, banore e Floridas.
“Kjo është gjëja më e madhe prej pesëdhjetë vjetësh! Që kur Fischer luajti kundër rusëve në Reykjavik – ajo ishte hera e fundit që ky vend pa këtë çmenduri, ose atë që ju e quani ethe shahu”, thotë Emad, pronar i një dyqani të lojërave të shahut.
Amerikanët gjithmonë kanë patur një marrëdhënie komplekse me shahun, pjesërisht sepse ishte një fushë e vogël beteje e Luftës së Ftohtë midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Në vitin 1972, amerikani Bobby Fischer fitoi një lojë të quajtur “Loja e Shekullit”, kur mundi kampionin sovjetik të shahut Boris Spassky.
Filmi i Netflix-it “The Queen’s Gambit” është një lloj ritregimi i asaj historie. Bën fjalë për një vajzë jetime nga Kentucky e cila lufton demonët e saj dhe një mjeshtër sovjetik të pamposhtur në një lojë që tejkalon konfliktin e gjatë prej dekadash midis dy superfuqive të mëdha.
“Antagonistët, kampionët sovjetikë të shahut, janë përshkruar shumë ngrohtë, nuk ka asnjë konflikt të shtuar në film – për Luftën e Ftohtë, për luftimet, nuk ka frymë keqdashëse”, thotë Garry Kasparov, kampion bote në shah.
Kampioni botëror i shahut Garry Kasparov duhej të luante në film me mjeshtrin sovjetik të shahut Borgov.
Por në vend të kësaj, ai koreografoi të gjitha lojërat në shfaqje. Ai thotë se lojërat janë të gjitha reale; zoti Kasparov drejtoi secilën prej tyre.
“Ishte një çështje prestigji për mua. E dija që kolegët e mi do ta shikonin filmin me shumë vëmendje, duke ndjekur çdo lojë. Dhe i premtova vetes se ata nuk do të kenë asgjë për të kritikuar, se çdo lojë do të jetë perfekte”, thotë ai.
Edhe shahu që jetimja Beth Harmon parafytyron të ravijëzuar në tavan nuk është thjesht shpikje e filmit.
“Në realitet, lojtarët e shahut – kur mendojnë për shahun, madje edhe gjatë një loje – shpesh ka lojtarë shahu që vërtet shikojnë tavanin dhe përllogarisin lëvizjet”, thotë Susan Polgar, kampione bote në shahun për gratë gjatë periudhës 1996-1999.
Hungarezo-amerikania Susan Polgar u bë mjeshtre e shahut në moshën 15 vjeçare.
“Padyshim, unë nuk isha përfshirë me alkool ose drogë aq herët në jetë sa Beth Harmon, por sigurisht që jam përballur me shumë gjëra të këqija, përfshirë ngacmimet seksuale dhe intimidimin fizik. Dhe siç e dini, abuzimi verbal ishte thjesht një gjë e përditshme! Se vajzat nuk mund të luajnë shah, nuk i përkasin shahut, duhet të shkojnë të luajnë me kukulla, jo me shah; shahu është për djemtë, gratë nuk janë aq të zgjuara sa djemtë!”, tregon ajo.
Filmi megjithatë nuk përqendrohet tek kjo, por tek ideja se loja e shahut është njerëzore dhe e përjetshme – dhe se madje edhe në mes të Luftës së Ftohtë ka vend për përqafime të ngrohta.
“Skena e fundit në shfaqje, kur Beth i largohet shoqëruesit të saj – ndoshta një punonjës i CIA-s. Nuk e dimë me siguri, por mund të nxjerrim përfundime. Ajo shkon në bulevardin ku burrat luajnë shah. Skena u filmua në Berlin… Ajo largohet pra dhe unë insistova që burrat t’i drejtoheshin asaj si Liza Harmon, jo vetëm Harmon; kjo do t’i shtonte skenës një intimitet të caktuar shahu”, thotë zoti Kasparov.
Janë bërë mbi pesëdhjetë filma për shahun, por jo shumë prej tyre arrijnë ta bëjnë lojën të duket kaq njerëzore, të ngrohtë dhe argëtuese. /VOA