Aktualitet Sërish asnjë i shtruar te Infektivi në 24 orët e fundit

Sërish asnjë i shtruar te Infektivi në 24 orët e fundit

Për herë të dytë, në 24 orët e fundit nuk është shtruar në Spitalin Infektiv, në QSUT, asnjë pacient me koronavirusin Covid-19.

Lajmin e mirë e ka dhënë mjeku Tritan Kalo, i cili thotë se respektimi i masave, puna e bluzave të bardha dhe vaksinimi i qytetarëve po japin rezultatet e pritura.

Në një status në Facebook, Tritan Kalo shkruan se pandemia nuk ka përfunduar ende, por rruga drejt suksesit është e afërt.

“Përsëri në 24 orët e fundit asnjë i shtruar në Covid-1/Shërbimin Infektiv të QSUNT….Ndërgjegjësimi, përkujdesja ndaj vetes dhe atyre që gjallojnë rreth nesh, MHD (Maskat, Higjena personale dhe kolektive, Distancimi fizik) dhe vaksinimi në ritme të përshpejtuara, po na bëhen aleatë të fuqishëm në luftën tonë kundër armikut të padukshëm, “flamës mbarëbotërore” të pandemisë nga virusi i Sars-Cov2/Covid-19. Lehaqenët dhe gojët koprolale kundër vaksimit, vetëm ecuria pozitive e rasteve të pandemisë ua mbyll gojët. Nëse për arsye të mosdijes, të mos dëshirës për jetën, të hatërmbetjeve politike yshteni të thoni ndoshta edhe ato që nuk i mendoni, shoqërisht dhe profesionalisht ju lutem të mos na pengoni në misionin tonë fisnik e human të mantelbardhit. Miq, kolegë e bashkëkombas, nuk është ende momenti për të hapur shishet e shampanjave e për të brohoritur fitore! Kemi ende udhë për të bërë në tunelin e pandemisë, por dalja prej tij po afrohet shpejt dhe kjo gjë na bën optimist e me flatra. Ju duam, ju respektojmë dhe për asnjë dekikë nuk do ju mungojë puna, përkushtimi, përkujdesja e profesionalizmi ynë në betejën tuaj për t’u përballur me armikun e padukshëm. Syhapur e mëndjekthjellët deri në rastin e fundit të infektimit nga Sars-Cov2/Covid-19”, ka shkruar në Facebook mjeku Tritan Kalo.

Edhe ditën e shtunë nuk pati asnjë pacient të shtruar për 24 orë në QSUT.