Kancelarja gjermane, Angela Merkel është ndjerë sërish keq gjatë një ceremonie zyrtare, nëntë ditë pas një incidenti të ngjashëm dhe disa orë përpara nisjes për në samitin e G20-ës në Osaka.
Ky problem u shënua gjatë ceremonisë zyrtare të marrjes së detyrës së ministres së re të Drejtësisë, Christine Lambrecht në kështjellën ”Bellevue” në Berlin.
”Merkel ka patur dridhje të trupit për gati dy minuta”, bën me dije një fotograf i agjencisë gjermane të lajmeve, DPA i pranishëm në ceremoni.
Kancelarja të jep përshtypjen, nisur nga pamjet e transmetuara në televizionin gjerman, se kërkon të marrë nën kontroll situatën.
Ajo kryqëzon krahët gjatë fjalimit të presidentit federal, Frank-Walter Steinmeier.
Merkel do të mbushë 65 vjeçe në korrik.
Zëdhënësi i Merkel i pyetur nga gazetarët nëse ajo do të jetë e pranishme në samitin e G20 në Japoni që do të mbahet këtë fundjavë, u përgjigj se Kancelarja është mirë dhe gjithçka do të vazhdojë sipas planifikimeve.