Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka krijuar një sistem të padrejtë zgjedhor që e favorizon atë, thotë Daniel Serwer, profesor në Universitetin amerikan Johns Hopkins, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Të dhënat paraprake të zgjedhjeve të 17 dhjetorit tregojnë se Partia Përparimtare Serbe, e udhëhequr deri vonë nga Vuçiç, ka fituar shumicën.
Lista opozitare “Serbia kundër dhunës” ka kërkuar, ndërkohë, anulimin e zgjedhjeve në Beograd, duke pretenduar se ka pasur parregullsi.
Duke komentuar fitoren e Vuçiçit në raport me Kosovën, Serwer thotë se rezultati “nuk është një shenjë e mirë” për marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Nuk shoh asnjë shenjë se Vuçiç është gati për një ndryshim serioz sa u përket marrëdhënieve me Kosovën. Përkundrazi, ai është nisur në drejtim të kundërt. Ai sërish bën thirrje për vendosjen e sovranitetit të Serbisë. Ai e kundërshton rëndësinë e marrëveshjeve të marsit dhe shkurtit [Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit për zbatimin e saj], të cilat SHBA-ja dhe BE-ja thonë se janë ligjërisht të detyrueshme”, thotë Serwer për REL-in.
I pyetur nga REL nëse Serbia është një kandidate serioze për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serwer mendon që Serbia në fakt nuk është afër BE-së.
“Para së gjithash, mendoj se sa vlejnë këto mesazhe – që do të thotë shumë, shumë pak. Ai është për kohë të gjatë në pushtet dhe nuk e ka afruar Serbinë me Bashkimin Evropian. Në fakt, ai e ka sfiduar Bashkimin Evropian – jo vetëm duke i kundërshtuar sanksionet kundër Rusisë, por edhe për shumë çështje të tjera, përfshirë marrëveshjet e arritura së voni me Kosovën, të cilat kryeministrja Ana Bërnabiç mohon se Serbia po i respekton.
Pra, ju mund të thoni se jeni për BE-në, por duhet edhe të silleni në atë mënyrë, dhe Vuçiç nuk po e bën këtë”, deklaroi ai.