Quique Setién foli për mediat në prag të ndeshjes kundër Sevilla, e cila do të luhet nesër në “Ramón Sánchez-Pizjuán” (22:00). Trajneri i katalanasve u ndal në shumë aspekte, që lidhen me skuadrën e tij.
Sevilla – “Ne do të përballemi me të tretin në renditje, në fushën e tij. Kjo do t’i vështirësojë gjërat. Do të duhet të luajmë një ndeshje të shkëlqyer për të fituar. Marrja e 3 pikëve do të ishte shumë pozitive për besimin e skuadrës, por jo diçka përfundimtare, në çdo rast, për fatin e titullit”.
Luis Suarez – “Ditët mes ndeshjeve janë të pakta, rikuperimi dhe kapja e ritmit ka nevojë për një proces. Ai po përmirësohet çdo ditë, por duhet të flas me të. E kuptoj se nuk është aty ku duhet për të luajtur 90 minuta”.
Formati i ri i Champions-it – “Unë mendoj se është më i keq, por jo vetëm për Barçën, për të gjithë. Me dy ndeshje mund të evitosh një aksident të mundshëm futbolli. Personalisht mendoj se të gjithë do të preferonim të luanim raunde me dy ndeshje (vajtje-kthim), por rrethanat janë ato që janë. UEFA ka vendosur kështu dhe ne duhet të adaptohemi. Po përjetojmë shumë rrethana të reja, edhe kjo është diçka tjetër. Fatmirësisht, do të luajmë kundër Napolit si ekip vendas, sepse e kemi zhvilluar ndeshjen e parë atje, edhe pse pa tifozë”.
T’i fitojë të gjitha, deri në fund – “Unë e shoh skuadrën të aftë, megjithëse është e pamundur të fitohen të gjitha në këtë sezon. I aftë për të marrë maksimumin, sigurisht që ky ekip është. Realiteti është që, pas rifillimit, kemi marrë dy fitore, gjashtë gola në favor, zero kundër. Pra, këndvështrimi është i mirë, më i mirë se i rivalëve të tjerë. Më duket e vështirë për të fituar gjithçka, por jo e pamundur”.
Ndeshja kundër Napolit – “Unë doja të luanim në stadiumin tonë. Nëse jo, kjo i jepte një avantazh rivalit, i cili tashmë e ka luajtur ndeshjen e parë në stadiumin e vet, me praninë e tifozëve”.
Messi – “Shifrat e tij janë të mundura vetëm për lojtarë të veçantë, më të mirët”.
Ndaj Sevilla, pa tifozë – “Është e mundur të na sjellë dobi ky fakt. Varet nga mënyra se do të shkojë loja, natyrisht. Realiteti është që “Pizjuán” është shumë i nxehtë për kundërshtarët si stadium. Është e mundur që dyert e mbyllura të na sjellin dobi.”
Vetërregullimi i Messit – “Pa diskutim, një lojtar 34-vjeçar ka një njohje të thellë të trupit dhe reagimeve të tij. Kjo ka ndodhur për të gjithë ne, që ta zgjasim karrierën sportive”.
Dembele – “Ai është duke u bërë më i mire, po evoluon me dëmtimin. Do ta shohim se kur mund të fillojë të punojë me grupin, por ka ende shumë”.
Napoli, fitues i Kupës së Italisë – “Ka ende shumë ditë për rifillimin e Ligës së Kampionëve. Kundër Juves luajti një ndeshje të shkëlqyeshme. Ne e dinim që Napoli është shumë i mirë, por ka ende për të bërë”.