Me qëllim mbarëvajtjen e sezonit të ri turistik, këtë të hënë u zhvillua një event në Tiranë. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, tha se në 3 mujorin e parë të këtij viti, aeroporti “Nënë Tereza” ka pritur rreth 900 mijë pasagjerë më shumë se vitin e kaluar. Për shkak të fluksit, Policia e Shtetit është e detyruar të shtojë 100 punonjës të tjerë për ta përballuar atë.
“Aeroporti “Nënë Tereza”, porta më e madhe hyrëse e turistëve në Shqipëri gjatë 3 mujorit të parë të 2024 ka pritur rreth 900.000 pasagjerë më shumë se vitin e kaluar. Ndërsa presim mbyllim nesër dhe prillin, kjo shifër shkon përtej çdo parashikimi apo pritshmërie. Bashkë me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit na duhet të shtojmë edhe 100 punonjës të tjerë policie në Komisariatin e Rinasit, me qëllim përballimin e këtij fluksi”, tha Balla.
Sipas Ballës, shifrat e katër muajve të parë të 2024 shërbejnë për të dëshmuar se “turizmi gjithëvjetor nuk është më një parashikim apo pritshmëri, por është fakt”.
Me qëllim mbarëvajtjen e sezonit turistik, forcat e rendit kanë hartuar një plan masash. Ndër to, sipas Ballës, është ngritja e 6 stacioneve shtesë të policisë në zona ku ka fluks të shtuar turistik.
“Këtij Plani të Madh masash, i është përshtatur edhe kuadri i nevojshëm rregullator për lehtësimin e qarkullimit në kufi apo zona urbane & vende turistike, sigurimi i mjeteve të duhura dhe njëherësh ndarja e qartë e detyrave për secilën njësi apo punonjës me uniformë.
Pas pak ditësh do të jenë ngritur edhe 6 stacione shtesë të Policisë së Shtetit në zona me fluks të shtuar turistik: në Theth, në Valbonë, në Tale, në Gjirin e Lalzit, në Palasë si dhe në Ksamil; në Kalatën e Komanit vendoset një shërbim policie 24 orë, për monitorimin dhe rritjen e parametrave të sigurisë në lidhje me veprimtarinë me mjete lundruese në liqenin e Komanit”, tha ai.
Mbi 1600 punonjës policie do të jenë në shërbim në zonat turistike.
“Gjatë këtij sezoni turistik, do të angazhohen me shërbim në zonat turistike/plazhe në total 1635 punonjës policie, nga të cilët 362 punonjës policie të sektorit të rendit publik, 73 punonjës policie sektori për krimet, 100 punonjës të policisë rrugore, 185 punonjës policie të Njësive të SOS, si dhe 912 punonjës policie të kufirit dhe migracionit. Në dispozicion të këtyre forcave do të jenë edhe 208 mjete (automjete, motomjete dhe mjete lundruese)”, tha Balla.