Qeveria është e gatshme për një tjetër garanci sovrane që do t’i vijë në ndihmë biznesit të mesëm dhe atij të madh, por me kushtin që kësaj here edhe bankat të marrin përsipër riskun. Në një intervistë për gazetarin Nertil Agalliu në TvT, ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, tha se pas paketës së parë 100 milionë si garanci shtetërore, bizneset mund të përkrahen me një tjetër, vlera e së cilës mund të përcaktohet nga gatishmëria e bankave të nivelit të dytë për të ndarë riskun.
“Ne ofruam garancinë shtetërore sovrane 100 milionë për t’iu përgjigjur nevojës së sipërmarrësve për të paguar punonjësit. Në garancinë e dytë sovrane që do të jetë 150 milionë – 200 milionë dollarë, nëse bankat marrin përsipër ndarjen e riskut, kjo mund të shtohet duke pasur parasysh gatishmërinë e bankave për risk sharing”, tha Shalsi.
Shalsi tha se problemi më i madh me të cilin përballet biznesi në këtë situatë është mungesa e likuiditetit dhe në këto kushte, kërkesat drejtuar qeverisë kanë qenë shpesh edhe të palogjikshme.
“Duhet të kuptojmë se është periudhë aspak e lehtë për të gjitha kategoritë e biznesit. Duke mos pasur mundësi të plotësojmë kërkesat, jemi munduar për ta lehtësuar sa më shumë sipërmarrjen. Kërkesat kanë qenë të ndryshme, të logjikshme e të palogjikshme. Ajo që i bashkon është problematika e likuiditetit. Jam i impresionuar nga meraku i sipërmarrësve për të mos dashur të largojnë punonjësit”, tha ai.