Bota Shampanja që nuk u hap për fitoren e ekstremit të djathtë/ Rezultati...

Shampanja që nuk u hap për fitoren e ekstremit të djathtë/ Rezultati i zgjedhjeve surprizon Francën

Zhgënjim në kampin e 28-vjeçarit Jordan Bardella, kandidatit për kryeministër të Francës i propozuar nga “Bashkimi Kombëtar” i ekstremit të djathtë të Marine le Pen.

BBC publikoi tavolinën me shampanjën që nuk u hap pas daljes së exit poll-eve dhe që e projektojnë këtë koalicion në vendin e tretë.

28-vjeçari shpresonte të ishte kryeministri i ardhshëm i Francës, por duket se duhet të presë ende. Nëse këto exit poll do të rezultojnë të sakta, Bashkimi Kombëtar duket se nuk ka performuar aq mirë sa udhëheqësit e tij, dhe shumë analistë kishin pritur.

Koalicioni i krahut të majtë dhe ai i qendrës e kthyen në prioritet bllokimin e Bashkimit Kombëtar dhe kjo strategji duket se ka funksionuar. E djathta ekstreme e ka rritur shumë përfaqësimin e saj në parlament. Numri i vendeve të mbështetësve të Presidentit Macron është ulur ndjeshëm. Fituesit më të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve ishin të majtët.

Jean-Luc Mélenchon, lideri i partisë së majtë radikale “Franca e papërkulur”, më e madhja në koalicionin e majtë Fronti i Ri Popullor iu drejtua mbështetësve të tij, duke pretenduar fitoren.

“E djathta ekstreme është larg shumicës sonte… Rezultati i zgjedhjeve është rezultat i një përpjekjeje madhështore mobilizimi. Presidenti duhet të përkulet dhe të pranojë se kjo është një humbje… kryeministri duhet të largohet”, tha ai.

Do të jetë interesante të shihet se cila do të jetë aleanca që të majtët do të bëjnë pasi të vetëm nuk mund ta formojnë qeverinë.